“Rusi 2018”, një ëndërr që mund të bëhet realitet për “italianin” Lapadula
Italia mbeti jashtë Botërorit të Rusisë, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, por Lapadula ndoshta mund të jetë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm në futboll.
Një skenar i konsideruar i pabesueshëm, por që mund të bëhet realitet. Trajneri i Perusë, Ricardo Gareca nuk e ka përjashtuar mundësinë e të grumbulluarit në muajin qershor të ish-sulmuesit të Milanit, aktualisht te Genoa, i cili e kishte refuzuar më parë thirrjen e kombëtares amerikano-latine në vitin 2016, pasi shpresonte që të luante me Italinë. Me “axurrët”, ndërkohë, ai ka zhvilluar vetëm dy ndeshje miqësore.
“Porta është e hapur për të gjithë, mjafton dëshira e lojtarëve”, ka thënë trajneri peruan për “Il Secolo XIX”.
Për Lapadulën, i cili ka shënuar një trigolësh ndaj San Marinos me fanellën e Italisë, hapet kështu një dritare e re për të qenë pjesëmarrës në Botërorin rus me Perunë.
Futbollisti në fjalë kaloi me shumë bujë nga Pescara te Milani, pas një sezoni të shkëlqyer në Serie B me bardhekaltrit, me të cilët u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Por me kuqezinjtë ai zhvilloi një sezon për t’u harruar, duke humbur kështu edhe mundësinë për t’u grumbulluar me Italinë.
“Nuk i kemi mbyllur derën askujt, – shpjegon trajneri i Perusë. – Nuk jemi në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Dera është e hapur dhe ne do të konsiderojmë çdo peruan që tregon dëshirën për t’u bërë pjesë e kombëtares. Nëse Lapadula do të kërkojë një gjë të tillë, atëherë do ta marrim në konsideratë”, shkruan tch.
Peruja siguroi biletën për në “Rusi 2018” pas fitores në ndeshjen “play off” me Zelandën e Re.