Rusi, hetimet zbulojnë shkaqet e rrëzimit të avionit ushtarak

Sipas hetimeve paraprake, rrëzimi i avionit ushtarak rus “Tu-154” të dielën në ujërat e Detit të Zi nuk ishte një sulm terrorist, por ndodhi për shkak të një defekti teknik ose nga një gabim i pilotit.
Lajmi u bë i ditur të hënën nga ministri rus i Transportit Maksim Sokolov. Sipas tij, mbetjet e avionit u shpërndanë në një hapsirë të gjerë në vendndodhje. Hetimet paraprake kanë përjashtuar mundësinë e sulmit terrorist, duke treguar se tragjedia ndodhi për shkaqe teknike ose gabim i pilotit.
Autoritetet ruse thanë se në avion kishte 150 kilogramë ushqime dhe produkte mjekësore, por jo lëndë plasëse apo fishekzjarre. Ata thanë gjithashtu se shpejtësia e nisjes ishte në përputhje me standardet teknike.
Në bordin e tij gjendeshin 84 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi në udhëtimin drejt qytetit sirian të Latakias, ku orkestra Aleksandrov do të zhvillonte një shfaqje për trupat ruse për Vitin e Ri. Të gjithë 92 personat në bord humbën jetën. (Zhang Yan)

