Rusia i dërgon mesazh Serbisë: Frikacakë, për shkak të lakmisë po shkatërroni vëllazërinë shekullore
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (SVR) ka publikuar një deklaratë në të cilën akuzon Serbinë se po rrit eksportin e armëve dhe municionit drejt Ukrainës, duke përdorur kanale të tërthorta për të fshehur gjurmët. Sipas SVR-së, industria ushtarake serbe luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e forcave ukrainase, ndërsa në Kiev, thuhet se kjo ndihmë pritet me shumë mirënjohje.
Në deklaratë thuhet se municionet e prodhuara në fabrikat serbe të mbrojtjes, veçanërisht për sistemet e rënda me rreze të gjatë veprimi, dërgohen në vendet anëtare të NATO-s në formë të pjesëve të ndara për montim. Në këtë mënyrë, sipas SVR-së, Ukraina formalisht merr pajisje ushtarake që nuk konsiderohen më si serbe, pasi montohen në fabrikat perëndimore, kryesisht në Çeki dhe Bullgari.
“Prodhuesit në Serbi e dinë shumë mirë kush janë përdoruesit përfundimtarë të pajisjeve të tyre, dhe se raketat e tyre do të vrasin ushtarë dhe civilë rusë në territoret ruse”, thuhet në deklaratë.
“Sjellje frikacake për shkak të lakmisë”
Në deklaratë përmendet konkretisht se fabrika Krušik nga Valjevo kohët e fundit ka shitur disa dërgesa të mëdha të pjesëve për raketa 122 mm për hedhësit “Grad” një kompanie çeke – Poličske strojirni. Gjithashtu, kompania Eling nga Loznica, sipas SVR-së, ka furnizuar kompani bullgare me të njëjtat sisteme raketash dhe mina 120 mm.
Moska akuzon se kjo po ndodh pavarësisht presionit në rritje diplomatik që Serbia përjeton nga Rusia. “Na vjen keq që lidhjet fetare dhe historike shekullore mes popullit serb dhe atij rus po fshihen për shkak të lakmisë për fitim dhe një politike frikacake që luhatet në të gjitha drejtimet”, thuhet në deklaratë.
Në momentin e publikimit të deklaratës, autoritetet serbe dhe kompanitë e përmendura nuk kanë reaguar ende ndaj akuzave të Moskës.
Ndërkohë, Serbia tradicionalisht ka ruajtur marrëdhënie të ngushta politike, fetare dhe historike me Rusinë. Moska ka qenë aleate kryesore e Beogradit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në çështjen e Kosovës, duke e mbështetur vazhdimisht Serbinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Energjikisht, Serbia është thuajse plotësisht e varur nga gazi rus, dhe kompanitë ruse kanë ndikim të fortë në sektorin energjetik serb.
Megjithatë, pavarësisht kësaj afërsie, Serbia po përjeton presion të shtuar nga Perëndimi për të marrë një qëndrim të qartë në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës, Beogradi ka ndjekur një politikë të balancuar mes neutralitetit formal dhe bashkëpunimit të heshtur me të dyja palët.