Rusia sponsorizon turne futsalli në Serbi, pjesëmarrës edhe ekipi i Mitrovicës së Veriut
Në Qendrën Sportive Kovilovo në Serbi është hapur të hënën e ashtuquajtura “Kupa Ndërkombëtare e Miqësisë në Futsall”, një turne i mbështetur nga institucionet ruse, në të cilin marrin pjesë tetë ekipe të reja nga Rusia, Serbia dhe Republika Srpska e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Turneu, i cili po organizohet për herë të katërt që nga viti 2023, sipas organizatorëve synon promovimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe miqësisë mes të rinjve përmes sportit.
Në këtë edicion po marrin pjesë ekipet Vojvodina, Guça, Mladost Apatin, Zajeçar, një ekip nga veriu i Kosovës (Mitrovica e Veriut), si dhe një ekip nga Republika Srpska. Ndërkohë, skuadra Shahtjor nga Donjecku po merr pjesë për herë të parë në një aktivitet sportiv të organizuar në Serbi.
Në ceremoninë e hapjes, anëtari i Këshillit të Federatës së Federatës Ruse, Aleksandar Vološin, deklaroi se e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet shteteve ndodhet në duart e brezave të rinj, duke i ftuar pjesëmarrësit që turneun ta shfrytëzojnë si platformë për ndërtimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit.
Ndërkaq, këshilltari-ministër i Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Konanihin, vuri në pah lidhjet historike mes Serbisë dhe rajonit të Donbasit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave të përbashkëta.
Turneu organizohet nga fondi bamirës “Shenjtorët Apostuj të Lartë Pjetri dhe Pali”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Festivalit Botëror të Rinisë, me mbështetjen e Agjencisë Federale për Çështjet e Rinisë “Rosmolodezh” dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.
Drejtori i fondit organizator, Miloš Tanaskoviq, tha se turneu ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga edicioni i parë, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet krijimi i miqësive mes të rinjve nga vende të ndryshme.
“Këtu po luftojmë për shoqëri – le të fitojë miqësia”, u shpreh Tanaskoviq.
Rajoni i Donbasit është përfshirë në konflikt të armatosur që nga viti 2014, pas protestave në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, kur u shpallën të ashtuquajturat “Republika Popullore e Donjeckut” dhe “e Luhanskut”, të cilat nuk njihen ndërkombëtarisht.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Donbasi u shndërrua në një nga epicentrat kryesorë të luftës, me pasoja të rënda humanitare, shkatërrime masive dhe zhvendosje të popullsisë civile.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se kërkesat e Rusisë për tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donbasit që janë nën kontrollin e Kievit mbeten pengesë serioze për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

