Sadiki falënderon koalicionin VLEN për mbështetjen në raundin e dytë
Kandidati i pavarur për Komunën e Studeniçanit, Azem Sadiki, ka reaguar pas mbështetjes publike që i është dhënë nga Koalicioni VLEN në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një reagim të shpërndarë nga shtabi i tij zgjedhor, Sadiki ka shprehur mirënjohje për përkrahjen, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të Studeniçanit.
“Kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm që tregon se kur qëllimi është zhvillimi i Studeniçanit dhe e mira e qytetarëve, mund të bashkohemi përtej ngjyrave politike,” thuhet në reagim.
Në emër të shtabit zgjedhor, kryetari i shtabit Nimetulla Demiri ka falënderuar Koalicionin VLEN për besimin dhe përkrahjen, duke theksuar se bashkëpunimi i tillë është në funksion të zhvillimit të komunës.
“Faleminderit për besimin dhe përkrahjen! Bashkë e çojmë Studeniçanin përpara!”, përfundon reagimi.
Ky zhvillim vjen në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, ku Sadiki garon si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Studeniçanit.

