Samiti i Vjenës, BE-Ballkan dakord për zgjidhjen e krizës



Kancelari austriak Christian Kern, ai që mblodhi në samitin e Vjenës kryeministrat e Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë dhe Maqedonisë me përfaqësuesit e tjerë të Unionit, dha edhe konkluzionet e bisedimeve që u zhvilluan me dyer të mbyllura.
“Ne kemi nevojë për të rimarrë në duar kontrollin e kufijve tanë të jashtëm. Ne dhe jo trafikantët jemi ata që duhet të vendosim se kush duhet të hyjë në Europë. Gjithashtu, prioritet është edhe mbrojtja e kufijve të brendshëm të Europës, kryesisht kufiri midis Greqisë dhe Maqedonisë”, deklaroi Kern.
Për presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, mbyllja e rrugës për refugjatët nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe.
“Ne duhet të përmirësojmë efikasitetin e veprimeve tona. Kemi nevojë që të konfirmojmë politikisht se rruga e Ballkanit perëndimor është e mbyllur për një qëllim të mirë, për të shmangur emigracionin e paligjshëm dhe e përgëzoj kancelarin Kern që na mblodhi bashkë për këtë iniciativë”, deklaroi Tusk.
Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kthimi në vendet e tyre të emigrantëve që nuk kanë marrë statusin e azilantit është një tjetër objektiv i rëndësishëm.
“Ne biseduam sot për domosdoshmërinë e përfundimit sa më shpejtë të marrëveshjeve me vendet e treta, sidomos me Afrikën, Pakistanin dhe Afganistanin, me qëllim qe ata të cilët nuk mund të qëndrojnë në Europë për arsye humanitare do të kthehen në vendet e tyre. Po ashtu, Gjermania i ofron mbështetje Greqisë dhe Italisë, pasi çdo muaj do të marrë qindra emigrantë nga të dyja vendet”, tha Merkel.
Në samitin e Vjenës ishte edhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama. “Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë të shprehur që në fillim. Marrim pjesë në këtë përpjekje nëse është e përbashkët, e koordinuar dhe mirorganizuar nga të gjitha vendet. Shqipëria nuk mund të çelë kufijtë apo të veprojë si disa vende që tradhëtojnë vlerat e BE-së”, tha Rama.
/ Top Channel