Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Shëndëlli të Sarandës.
Burime policore bëjnë të ditur se viktima është 47 – vjeçari, Aleksandër Bardhi, banues në këtë fshat. Trupi i tij pajetë ka mbërritur rreth orës 00:35 në spitalin e Sarandës.
Policia thotë se dyshimet janë që ngjarja ka ndodhur afër fshatit Shëndëlli (përballë fshatit Vrinë), ku sipas deklaratës së djalit të xhaxhait të viktimës, i cili ka qenë personi që e ka shoqëruar atë në spital, dyshohet se trupi i pajetë është gjetur nga ana e tij, i vrarë me armë zjarri të dyshuar, automatik, në rrugën hyrëse të këtij fshati.
Gjatë hetimeve të kryera deri më tani ka rezultuar se viktima ka qenë person me precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Mirditë.
Deri në këto momente policia ka shoqëruar 16 persona, me të cilët po punohet për sqarimin e rrethanave të vrasjes.
Policia thotë se vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin dhe vendosjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Ndërkohë, viktima Aleksandër Bardhi është vëllai i ish – kryetarit të komunës Kaçinar, Mirditë, Petrit Bardhi. Ky i fundit, më datën 6 Shkurt të këtij viti u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim me vendim të gjykatës, që prej datës 28 Tetor të vitit 2015, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Në shtëpinë e tij, gjatë muajit Tetor të vitit 2015, u gjetën 424 kg lëndë kanabis, 3 mijë fishekë dhe katër armë zjarri automatike kallashnikov, pa leje.
Petrit Bardhi u la i lirë nga Gjykata e Lezhës, më datën 18 Shkurt, 12 ditë pasi ishte arrestuar. Ndryshimi i masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” u bë nga gjyqtari Ilir Përdeda. Ai pranoi kërkesën e palës mbrojtëse, sipas të cilës, 43 – vjeçari vuante nga azma dhe gërhiste natën. /tvklan.al
Posti i meparshem
Rriten tensionet ndërsa serbët e Bosnjës mbajnë referendumin e ndaluar