Kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela në emisionin “Rruga drejt” ka nënkuptuar përmbajtjen e materialeve që LSDM-ja i ka dorëzuar BDI-së në këmbim të mbështetjes për mandatin.
Sipas vërejtjeve të Selës, drafti nuk precizon edhe të shkruarit të shqipes, përveç të të folurës së asaj në institucione, ndërkohë që shkoi më tej duke theksuar se shqiptarët vetë mund ta kishin propozuar ligjin, sipas kërkesave të tyre.
“Në kushte shumë të qarta, në amendamentin pesë, paragrafi i dytë, thotë, gjuha që flasin 20 % e popullatës është po ashtu zyrtare. Gjuha dhe shkrimi i saj janë po ashtu zyrtar. Në qoftë se në parlament lejohet të flitet shqip dhe nuk lejohet të shkruhet, kjo është shkelje e kushtetutës. Për çështjet tona, për gjuhën tonë, nuk do të presim të na bëjnë propozim, Zaevi ose Gruevski, por propozimin do ta bëjmë vetë dhe do t’i kushtëzojmë që ata ta përkrahin”, tha Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
Sipas Selës, partitë do vazhdojnë të japin mendimet rreth draftit për shqipen, ndërkohë që Alsat-M mëson se nesër, mblidhet dhe kryesia qendrore e BDI-së, ku pritet të vendoset, nëse Ahmetiu do t’i japë mbështetjen e nevojshme Zaevit për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re. Një gje të tillë e pret me ngut edhe LSDM-ja.
“Spekulimet në media gjatë periudhës së kaluar, thamë që nuk do t’i komentojmë. Konkretisht për këtë do të prononcohemi vetëm nga pozita e mandatarit. Presim që dokumenti që e dorëzuam në BDI të na sigurojë nënshkrimet për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë”, tha Peter Shilegov nga LSDM, njofton Alsat-M.