Selimi tregon si do të veprojnë nesër, thotë se askush s’mund t’ua rrëmbejë fitoren

679

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se nesër kur pritet të votohet qeveria e re deputetët e kësaj partie do të veprojnë konform mandatit të tyre.

Ai tha për KosovaPress se Lëvizja Vetëvendosje edhe nesër do të jetë në anën e të drejtës, derisa nuk ka treguar se si do ta kundërshtojnë mbajtjen e kësaj seance.

“Lëvizja Vetëvendosje sikur gjithmonë edhe nesër do të jetë në anën e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhurin e vet, do të jetë në përputhje me qëndrimet e saja politike dhe secili deputet do të jetë në përputhje me mandatin e tij dhe me besimin që ua kanë dhënë qytetarët. Kjo do të jetë ajo çka do të ndodh nesër, ky do të jetë qëndrimi i LVV-së për nesër. Tash rrethanat çfarë po mbahet seanca po mbahet në rrethana shumë të vështira ku akoma pandemia nuk ka mbaruar, ashtu siç është mbajtur edhe seanca për mocion kur kishte filluar pandemia, por duket që ata që e kanë thirrur këtë seancë nuk e kanë hallin as të shëndetit të qytetarëve as atëherë e as tash. Po ashtu, po duket që edhe në kohën kur Kosova sot fatkeqësisht sot ka përjetuar një tragjedi me rastin e humbjes së jetës së dy minatorëve dhe rrezikimin e jetës edhe të tjerëve. Pra, as këtë problem duket që nuk e kanë thirrësit e kësaj seance, thjeshtë ata kanë një target që ta rrëmbejnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, fitoren e qytetarëve dhe ta tjetërsojnë atë.

I pyetur se a mund të pritet të ketë gaz lotsjellës apo protesta në sheshet e Prishtinës, ai tha se nuk mund të jenë aq të parashikueshëm nga oponentët e tyre.

“Nesër do të jemi në përputhje me mandatin tonë dhe nuk mund të jemi aq të parashikueshëm nga oponentët tanë që tash të ndajë me opinionin diçka të ngjashme”, tha ai.

Selimi që edhe u nënshkrua në peticionin për të kërkuar zgjedhje, tha se askush nuk mund t’ua rrëmbejë fitoren, qoftë me rrugë jo kushtetuese si dekreti i presidentit apo vendimi, sipas tij, i padrejtë i Gjykatës Kushtetuese.

“Sikur gjithmonë edhe sot jemi bashkë me qytetarët e Kosovës për të kërkuar zgjedhje si e drejtë e qytetarëve për të vendosur për fatin e vet dhe këtë të drejtë nuk guxon as nuk do të duhej askush t’ua merrte, t’ua uzurponte aq më tepër t’ua ndryshonte. Qytetarët e Kosovës dhanë verdiktin e vet me 6 tetor dhe e nxorën fituesin, ky fitues është Lëvizja Vetëvendosje e cila udhëheq me qeverinë e Kosovës prej kohës së formimit të saj deri më sot kur po flasim. Por, po ashtu qytetarët me anë të këtij peticioni po tregojnë edhe një herë që fitoren nuk mund t’ua rrëmbej askush, qoftë me rrugë të tjera jo kushtetuese siç është dekreti i presidentit për nominimin e humbësit si mandatar për qeveri, qoftë edhe vendimi i gjykatës kushtetuese si një vendim krejt i padrejtë dhe i mbështetur jo në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, po kthehemi dhe po kërkojmë sërish që të jemi bashkë me qytetarët për të vendosur për atë çka qytetarët duan, pra për fituesin e qytetarëve, jo për mandatarin e humbësit”, tha ai.

Nesër në ora 11 do të mbahet seanca kur pritet të votohet qeveria që si kryeministër do të ketë Avdullah Hotin e LDK-së. /kp/

Comments