Selmanaj pyet Haradinajn: Cila është marrëveshja me Listën Serbe

507

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj para mediave ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të përgjigjet në pyetjen se cila është marrëveshja me Listën Serbe, pasi sipas tij Lista Serbe nuk është mjaftuar vetëm me një ministri.

“Kemi shumë pyetje, e njëra më kryesore është se cila është marrëveshja me Listën Serbe? Ju e mbani mend që para 5 ose 6 muajsh Vuçiqi kërkonte ekstradimin e tij. Pra ka shumë pyetje dhe nuk kemi si të debatojmë pa ata që kanë marrë kryesimin e vendit. Nuk është marr stabiliteti i vendit nga Lista Serbe. Lista Serbe është me Kushtetutë por jo të varemi prej tyre. Nuk e besojmë se Lista Serbe është mjaftuar vetëm nga një ministri”, është shprehur Selmanaj, raporton KTV.

Ai më tutje ka shtuar se seanca e jashtëzakonshme sot është shtyer për shkak të papërgjegjësisë së pozitës, që sipas tij kanë vendosur të ikin.

“Siç e patë, ne kërkuam që seanca e sotme të shtyhet për shkak të papërgjegjësisë, sepse Kuvendi është institucioni më i lartë në vend ku për fatin e keq kryeministri i ri ka vendosur t’i ikë. Kjo logjikë ishte që nga fushata parazgjedhore dhe ata po tregojnë se më së paku respektojnë Kushtetutën dhe njerëzit që i kanë votuar”, ka thënë Selmanaj.

Sipas Selmanajt kjo Qeveri nuk do të ketë jetëgjatësi më shumë se një vjet, ndërsa ka komentuar deklaratat ofenduese të Milaim Zekës drejtuar opozitës.

“Cirku ka filluar në momentin kur kanë filluar pazaret politike në kafenetë e Prishtinës dhe nëse dikush e ka për obligim me ardhë këtu është Qeveria e Kosovës. Ne sipas rregullores kemi kërkuar këtë seancë dhe jemi në respektim të plotë të të gjitha akteve kushtetuese. Kjo Qeveri nuk jam i sigurt nëse do të qëndrojë një vit sepse kjo Qeveri do të rrëzohet për marrje të vendimeve dhe kryeministri Ramush Haradinaj është i dorës së dytë. Sa i përket deklaratës së Milaim Zekës kryetari i Kuvendit nuk bëri asgjë dhe sipas rregullores së Kuvendit së pari deputeti që përdorë fjalë fyese duhet të kërkojë falje”, ka thënë Haradinaj.

Comments