Serbia arreston qytetarë në Kosovë pa dijeninë e institucioneve tona të sigurisë

393

Moebel THEMA

Foto: Ilustrim

Shtetasi i Serbisë me mbiemrin Rogliq nga qyteti i Çaçakut, i dyshuar për një vrasje që ka ndodhur më 24 gusht në Serbi, është arrestuar nga pjesëtarët e MUP-it serb disa ditë më parë në territorin e Kosovës, përkatësisht afër Leposaviqit.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, në këtë aksion të arrestimit, përveç pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë, kanë marrë pjesë edhe disa policë të Kosovës nga stacioni i veriut.

“Tre persona të dyshuar për vrasje në Serbi, Rogliq, Kalajxhiq Nenad dhe Tripkoviq Vlladimir, me automjetin Golf V ngjyrë hiri dhe me targa CA 058 – CE, duke ikur nga Serbia, kanë hyrë të shtunën mbrëma në territorin e Kosovës. Ata janë ndjekur nga pjesëtarët e MUP-it serb (në rroba civile), të cilët në bashkëpunim me krerët e Policisë së Kosovës në veri, kanë kapur njërin nga të dyshuarit, ndërsa, dy të dyshuarit tjerë, kanë arritur të ikin. Në këtë aksion, nga Policia e Kosovës kanë marrë pjesë Zheljko Bojiq, shef i operativës për rajonin e veriut, Millan Ristoviq, shef i njësisë së hetimeve, si dhe Bojan Markoviq, pjesëtar i njësisë së hetimeve në veri. Këta të fundit, nuk i kanë informuar fare strukturat udhëheqëse të Policisë në Prishtinë për aksionin dhe as për dorëzimin e të dyshuarit organeve të Serbisë”, kanë thënë burimet.

KosovaPress ka siguruar disa fotografi. Në foton e parë shihet personi i arrestuar, ndërkohë në dy fotot tjera janë dy personat që janë shpallur në kërkim nga MUP-i serb, të cilët thuhet se janë brenda territorit të Kosovës.

KP ka provuar disa herë të kontaktojë me përgjegjësit e Policisë së Kosovës në veri, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

I kontaktuar përmes telefonit, zëdhënësi i Policisë në Prishtinë, Daut Hoxha, ka kërkuar që në lidhje me ngjarjen t’i dërgohen pyetjet përmes postës elektronike, mirëpo, edhe pas dërgimit të pyetjeve nga redaksia dhe pritjes prej disa ditësh, KosovaPress nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, disa banorë shqiptarë të veriut, kanë thënë për KosovaPress se situata të tilla, kur MUP-i bashkë me policët serbë që shërbejnë në Policinë e Kosovës arrestojnë qytetarë në territorin e Kosovës pa marrëveshje me Prishtinën zyrtare, ngjallin pasiguri tek banorët shqiptarë, krijojnë ndarje dhe provokojnë konflikte ndëretnike.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që struktura të MUP-it dhe shërbimeve sekrete të Serbisë kanë hyrë në territorin e Kosovës, ku në bashkëpunim me pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, kanë arrestuar qytetarë.

Comments