Serbia i bindet BE-së, pranon të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës?

398

Autoritetet serbe kanë pranuar që të pezullojnë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Burime diplomatike nga Brukseli të Radios Evropa e Lirë në gjuhen serbe, kanë bërë të ditur se Serbia ka pranuar që të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij mediumi, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se autoritetet e Beogradit kanë pranuar që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si pjesë e vullnetit të mirë për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, palët në Beograd kanë rënë dakord të mos vazhdojnë me këtë fushatë”, ka theksuar ky burim i REL-it.

Ndërkaq një zyrtar i lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut theksoi se fushata e Serbisë është “një çështje irrituese”.

“Ne kemi nevojë për të ndërtuar një moment pozitiv dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin”, tha ai për REL, transmeton më tutje lajmi.net.

Numri i vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, është i panjohur.

Sidoqoftë, zyrtarët serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, nuk e fshehin se ata drejtuan diplomacinë e tyre në atë drejtim. Serbia gjithashtu ka mbrojtur hapur pozicione kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të tilla si Interpol dhe UNESCO.

Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dy palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rinovimin e dialogut.

Prandaj ata besojnë se prezantimi i kohëve të fundit i masave të reciprocitetit nga qeveria e mëparshme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti “nuk është në atë frymë”.

Zyrtarët e Brukselit presin që qeveria e re e Kosovës të marrë të gjitha masat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut që së shpejti duhet të vazhdojë në Bruksel, që nënkupton heqjen e këtyre masave.

Mirosllav Lajçak, përfaqësuesi special i BE për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, kohët e fundit vlerësoi se ishte i zhgënjyer nga vendimi për futjen e masave të reciprocitetit dhe kërkoi një heqje të menjëhershme. /Lajmi.net/

Comments