Serbia sillet si paqebërëse dhe synon të ndez luftëra
Serbia angazhohet për paqe dhe stabilitet në rajon, por kërcënon me dërgimin e ushtrisë në Bosnjë-Hercegovinë. Serbia nuk dëshiron ta rrezikojë integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të atij shteti, por e dërgon policinë në kufi në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta me kolegët nga Republika Serbe. Përfundimisht, Serbia nuk e mbështet referendumin në Republikën Serbe, por e qorton ashpër Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë-Hercegovinën, i cili gjithashtu e kundërshton referendumin dhe thotë se do të organizojë referendum në territorin e saj.
Në mënyrë të ngjashme, Serbia nuk ka marrë pjesë në luftën në Bosnjë nga viti 1992 deri më 1995 dhe është angazhuar për paqe. Mospjesëmarrjen edhe atëherë e ka pasqyruar vetëm me fjalë. «Serbia nuk është në luftë», përsëriste me këmbëngulje presidenti i saj i atëhershëm Slobodan Milosheviq dhe edhe më me këmbëngulje e udhëhiqte luftën.
Gjatë katër vjetëve të luftës, madje edhe në periudhat e mosmarrëveshjeve me udhëheqjen politike në Pale, Serbia e ka ndihmuar ushtarakisht makinerinë luftarake të serbëve boshnjakë. Oficerët e Ushtrisë së Republikës Serbe kanë marrë paga dhe beneficione të tjera të shumta nëpërmjet Qendrës 30 të Personelit të Ushtrisë Jugosllave nga buxheti i Ministrisë Federale të Mbrojtjes – deri në shtator 1994 nëpërmjet qendrës së kontabilitetit, e më pas Ratko Mladiqit paratë i janë dhënë në duar. Në këtë mënyrë, gjatë luftës në Bosnjë janë paguar më shumë se 4000 oficerë nga Republika Serbe. Ç’është më e rëndësishme, Ushtria e Republikës Serbe është varur plotësisht nga mbështetja logjistike e Serbisë. Pa armë, pa municion dhe pa pajisje ushtarake, të cilat gjatë luftës vazhdimisht i ka marrë nga Ushtria Jugosllave, nuk do të mund të udhëhiqej lufta.
Ushtria e serbëve boshnjakë e mbajti Sarajevën për 44 muaj nën rrethim, duke i mbajtur në nishanin artilerik dhe snajperist (pyetëm, nga armët?) banorët e qytetit, madje tesktualisht në çdo situatë banale të jetës: derisa blejnë në treg, duke pritur në rend për ujë apo për bukë, apo duke aktruar pamje të normalitetit duke shkuar këmbë në shkollë dhe duke hipur në tramvaj deri në punë. Armata e Republikës Serbe, derisa oficerët e saj ishin në listat e pagave të Serbisë, u përfshi në një fushatë të spastrimit etnik imagjinar të territorit serb në Bosnjë, gjatë së cilës ka kryer vrasje të panumërta masive të civilëve joserbë, ndërsa shumicën e të mbijetuarve e dëboi përtej kufirit të Bosnjës, e cila më 1992 u vijëzua me armët dhe municionin e ardhur nga Serbia. Fushata e krimit dhe e dhunës e arriti kulmin me gjenocidin në Srebrenicë, i bërë me armët e dërguara nga Beogradi.
Serbia në luftën e Bosnjës gjoja nuk ka marrë pjesë edhe në një mënyrë tjetër – ashtu që në territorin e atij shteti ka dërguar paramilitarët e saj, policinë dhe njësitë ushtarake. Sheshelët, arkanët, Beretat e Kuqe, Të Verdhët ose Shqiponjat e Bardha, skorpionët, të gjithë rregullisht luftojnë në territorin e Bosnjës. Burgosin, keqtrajtojnë, përdhunojnë, frikësojnë civilë në Zvornik, Bijelinë, Doboj, Bosanski Shamac, Nevesinje, Mostar, Tërnovo, në çdo komunë boshnjako-hercegovase ku ata shkelin. Dhe, të gjithë kanë një lidhje të forta ose më të lirshme me MPB-në e Serbisë dhe me Sigurimin e saj shtetëror. Edhe Ushtria herë pas here i dërgon forcat speciale. Në Bosnjën Lindore dhe rreth Sarajevës fshehurazi lufton Brigada Gardiane, pastaj Njësia Speciale 72 dhe Brigada 63 Diversante e Parashutistëve.
Tani që para vetes e kemi një kujtesë për sjelljen hipokrite të udhëheqjes së atëhershme serbe – deklaratat e paqes në kombinim me menaxhimin e konfliktit – e nëse e krahasojmë me atë që pushtetmbajtësit e tanishëm e thonë dhe e bëjnë, kuptohet lehtë kontinuiteti me politikën e Slobodan Milosheviqit.
Ekziston edhe një element tjetër i kontinuitetit me vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, e ai e përfshin edhe Kroacinë. Tani, sikur atëherë kur ndarja e Bosnjës u bë fshehurazi, ndërsa u realizua në vepër me luftë, parimi i enëve të ngjitura serbo-kroate funksionon në mënyrë të përkryer – shigjeta në drejtim të këtij shteti vijnë edhe nga Serbia, edhe nga Kroacia, në referendumin e Dodikut kroatët boshnjakë përgjigjen me rehabilitimin e Herceg-Bosnës. Serbia dhe Kroacia, është e qartë, e shohin Bosnjë-Hercegovinën si një pre, dhe me gjasë aty qëndron thelbi i burimit të jostabilitetit në rajon.
Rikujtimi i fakteve të së kaluarës është i domosdoshëm edhe për shkak se nga ato nuk ka paralajmërim më të mirë, veçanërisht në kohën e krizës rajonale çfarë e kemi sot. Lufta në Bosnjë mori rreth 100’000 jetë njerëzish. Edhe një herë – njëqind mijë jetë. Nga këto, rreth dy të tretat boshnjakë, më shumë se 30’000 janë civilë boshnjakë. Për vdekjen e shumicës së tyre, si dhe për vrasjen e pjesës më të madhe prej 2500 civilëve kroatë, përgjegjëse janë forcat e kombinuara serbe. Në luftë e kanë humbur jetën edhe 25’000 serbë – pak më pak se 21 000 ushtarë dhe pak më shumë se 4000 civilë. Kjo dhe miliona njerëz të zhvendosur, familje të shkatërruara dhe fate të thyera, është çmimi i luftës së udhëhequr në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë katër vjetëve. A jemi të gatshëm për ta bërë atë përsëri?
Autori është hulumtues i Fondit për të Drejtën Humanitare. (Botuar nga portali Peshçanik)