Sërish dyshime për trukim të ndeshjes së Kukësit

192

Sërish dyshime për trukim në ndeshjet e Kukësit në fazën përgatitore. Kompania “Federbet” pikasi lëvizje të pazakonta të basteve gjatë miqësores me Dinamon e Moskës

Një tjetër humbje e rëndë, por jo vetëm kaq.
Kukësit nuk i ka mjaftuar disfata 0-6 në miqësoren e radhës në Austri, ndaj Dinamos së Moskës, por pas saj kanë mbërritur dyshimet.
Thuajse si gjithnjë, është kompania “Federbet”, e specializuar për monitorimin e basteve, e cila tregon se çfarë ka ndodhur në kohën që kampionët e Shqipërisë luanin ndaj rusëve.
“Federbet” postoi një deklaratë në faqen e saj zyrtarë në FB, ku në qendër të saj pati pikërisht miqësoren Dinamo e Moskës-Kukësi.
“Duam të përsërisim se nuk kemi asnjë antipati personale për futbollin shqiptar në përgjithësi ose për klubin e Kukësit në veçanti”, – shkruhej në deklaratë, ndërsa vazhdohej se “duhet të nënvizojmë se pati lëvizje të mëdha të kuotave në ndeshjen e tij”.
“E kemi fjalën, – saktësoi kompania, – se pati rënie të mëdha të kuotave për numrin e madh të golave që do të shënoheshin, dikush me të vërtetë priste golin e pestë dhe të gjashtë në këtë ndeshje”.
Moskovitët shënuan që në minutën e parë me anë të shqiptarit të Malit të Zi, Fatos Beqiraj, ndërsa vazhduan me rrjetat e Sapetës, Lucenkos, Tjomnikovit, Kuzminit dhe sërish Tjomnikovit.
Goli i pestë i ekipit rus u shënua në minutën e 80-të dhe I gjashti në të 84-ën.
Më herët, Federbeti ngriti dyshime për humbjen 0-7 të Kukësit në miqësoren me austriakët e Volfsbergerit, dhe fitoren 3-1 ndaj rumunëve të Botoshanit.

Comments