Holanda e mbështet vendimin për Republikën e Maqedonisë në Samitin e NATO-s, tani i mbetet qytetarëve që të vendosin në referendum, nëse ata e mbështesin Marrëveshjen dhe anëtarësimin në NATO, citohet në letrën që Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska e mori nga homologia e saj holandeze, Ank Bajleveld Shauten, transmeton Medial.mk.
Në letrën që ministrja holandeze e Mbrojtjes i përgjigjet ministres Shekerinska, me të cilën ajo nga kolegët e saj nga vendet anëtare të NATO-s para Samitit në Bruksel kërkon mbështetje për ftesën e Maqedonisë në NATO, Shauten e përshëndet progresin që Maqedonia e ka arritur në vitin e kaluar.
“Holanda e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s, e cila ka provuar të jetë një instrument i rëndësishëm në promovimin e vlerave dhe stabilitetit demokratik në rajon. Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka bërë përpjekje të mëdha në fillimin e reformave të nevojshme. Ne ju përgëzojmë për progresin e arritur në vitin e kaluar”, shkruan Shauten, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në letër ministrja holandeze e përgëzoi marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila hoqi pengesën e fundit formale për fillimin e bisedimeve të pranimit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
“Tani i mbetet popullit të Maqedonisë që të vendosë në referendumin në shtator, nëse do ta përkrahë Marrëveshjen dhe anëtarësimin në NATO”, citohet në letër
Ministrja Holandeze e Mbrojtjes konsideron se është thelbësore që Maqedonia të mbetet në rrugën e reformës, të vazhdojë reformat mbi sundimin e ligjit, liritë mediatike dhe të drejtat e minoriteteve dhe shpreh gatishmërinë që Holanda të ndihmojë në përpjekjet për zbatimin e tyre, citohet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.