Shekerinska: Samiti i Ankarasë në korrik do të përqendrohet në arritjen e rezultateve konkrete

96

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, deklaroi se samiti i aleancës që do të mbahet në Ankara në korrik do të fokusohet në zbatimin e vendimeve të mëparshme dhe në arritjen e rezultateve konkrete, transmeton Anadolu.

Duke folur sot në Konferencën e Sigurisë në Oslo, në Norvegji, Shekerinska tha se të gjithë aleatët kanë rënë dakord në samitin e Hagës vitin e kaluar që deri në vitin 2035 të ndajnë 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për shpenzime të mbrojtjes.

“Samiti i Ankarasë do të përqendrohet te zbatimi dhe te ofrimi i rezultateve konkrete”, tha ajo.

Duke theksuar nevojën për të ndjekur angazhimin prej 5 për qind, Shekerinska tha se kjo çështje do të mbetet prioritet në Ankara, përfshirë edhe përmes një dite të industrisë që synon përmirësimin e bashkëpunimit me kompanitë e mbrojtjes.

“Do të organizojmë një ditë industrie të fokusuar shumë në mënyrën se si mund ta mbështesim industrinë dhe si mund t’i përdorim më mirë fondet shtesë, por shpresojmë pa krijuar kosto shtesë”, tha ajo.

Shekerinska theksoi se mesazhi për aleatët është i qartë: rritje e prokurimeve të përbashkëta, thellim i bashkëpunimit dhe shtytje drejt zgjidhjeve më inovative për të përmbushur objektivat e kapaciteteve.

“Le të bëjmë më shumë prokurime të përbashkëta. Le të bashkëpunojmë më shumë dhe të insistojmë në zgjidhje më inovative kur kërkojmë objektivat e duhura të kapaciteteve”, tha ajo, duke shtuar se këto çështje do të jenë lart në agjendën e samitit.

Ajo tha gjithashtu se rritja e mbështetjes për Ukrainën do të jetë një temë kyç në samitin e Ankarasë.

“Situata është dhe ka qenë e rëndë”, tha Shekerinska, duke i përshkruar kushtet në terren në Ukrainë.

Ajo vuri në dukje se, edhe pse vëmendja aktualisht është e përqendruar te përpjekjet për paqe, mbështetja e vazhdueshme ushtarake mbetet thelbësore.

“E dimë që tani fokusi është te procesi i paqes, por gjithashtu e dimë se duhet të vazhdojmë me këtë mbështetje, sepse, siç shihet edhe sot, luftimet nuk kanë ndalur”, tha ajo. “Sulmet, veçanërisht ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike, vetëm janë shtuar”, deklaroi Shekerinska.

“Këto tri çështje do të jenë fokusi ynë ndërsa i afrohemi Ankarasë”, shtoi ajo.

Shekerinska tha se përparimi drejt objektivit prej 5 për qind është i pabarabartë, me disa vende që ecin më shpejt me afate më ambicioze, ndërsa të tjerat mbeten prapa. Ajo theksoi se si liderët politikë ashtu edhe përfaqësuesit e industrisë e pranojnë se kthimi në nivelet e shpenzimeve të mbrojtjes para luftës nuk është më një opsion.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta transatlantike, duke thënë se dallimet mes aleatëve duhet të adresohen përmes dialogut.

“Demokracitë debatojnë brenda vetes dhe me aleatët”, tha ajo, duke shtuar se “ADN-ja” e aleancës është të diskutojë, të gjejë zgjidhje dhe të harmonizohet rreth interesave të përbashkëta të sigurisë, proces që sipas saj tashmë ka riformësuar qasjen e NATO-s ndaj sigurisë në Arktik.

Comments