Shëndetësia katastrofale në Kosovë, ia lënë barkun hapur pacientes përshkak të mungesës së rrjetës (Kujdes pamje të rënda)

312

Shëndetësia në Kosovë ka prekur “dyshemenë” e kushteve katastrofale dhe pakujdesisë institucionale. Gazeta Koha Ditore ka rregjistruar një rast të tmershëm të një pacienteje shqiptare që ballafaqohet me një situatë të rëndë shëndetësore dhe pa ndihmë adekuate. Për një rrjetë, çmimi i së cilës sillet vetëm rreth 1 mijë e 200 euro, një gruaje organet e brendshme i kanë mbetur jashtë.

Pacientja (emrin e së cilës e di Gazeta) është e shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Pamjet që janë shfaqur në një grup të mbyllur të rrjetit social Facebook ku bëhet thirrje për grumbullimin e mjeteve të nevojshme për këtë pajisje, shpërfaqin gjendjen momentale të pacientes. *Vërejtje: Pamje të rënda!

Siç merr vesh Koha Ditore, përgjegjësinë për blerjen e këtyre rrjetave e ka Ministria e Shëndetësisë. Rrjeta sipas çmimeve të tregut ka vlerën e rreth 1200 eurove. Ato që i posedon QKUK-ja janë më të vogla dhe nuk mund ta përthekojnë plagën që e ka hapur kjo paciente.

Koha Ditore ka kontaktuar me drejtorin e QKUK-së, Basri Sejdiu. Pas interesimit të gazetës, ai ka thënë se ka biseduar me mjekët e Klinikës, të cilët i kanë thënë se “për shkak të infeksionit që ka plaga nuk mund të mbyllet, pasi që është lënë që në atë mënyrë të kullojë”.

Ai ka pranuar që QKUK-ja momentalisht nuk posedon me rrjetën e nevojshme për të cilën kjo paciente ka nevojë dhe po kërkon mjete përmes Facebookut. Megjithatë, ai ka thënë se në rast se plaga shërohet dhe është e gatshme për t’u mbyllur ata do të sigurojnë këtë rrjetë. Ministria e Shëndetësisë e ka për obligim që të rimbursojë shumën e materialeve për të cilat nuk ka tender të rregullt por që janë materiale për përdorim spitalor.

Nga ana tjetër, dy kirurgë të cilët punojnë në QKUK, në kushte anonimiteti i kanë thënë Gazetës se “plaga nuk është mbyllur për shkak të mungesës së materialit”.

Klikoni mbi adresën e linkut, por keni kujdes pamjet janë shqetësuese dhe rrënqethëse:

Comments