ShëndetësiShenjat e hershme të shkatërrimit të veshkave te të moshuarit

659

Veshkat janë motori filtrues i trupit tonë, por me kalimin e viteve, ky motor mund të fillojë të humbasë fuqinë e tij. Dështimi i funksionimit të veshkave ndodh kur mbeturinat dhe lëngjet e tepërta nuk eliminohen dot më, duke u kthyer në një kërcënim serioz për shëndetin.

Te të moshuarit, kjo gjendje është sa e zakonshme aq edhe e fshehtë, pasi shenjat paralajmëruese shpesh maskohen si “shenja të moshës”. Në dallim nga shumë sëmundje që shfaqen me dhimbje të forta, problemet e veshkave nisin me lodhje dhe dobësi të përgjithshme.

Grumbullimi i toksinave në gjak, e bën personin të ndihet i përgjumur dhe me mendime “të mjegullta”. Kjo shoqërohet shpesh me edemën, ose ënjtjen e këmbëve dhe kyçeve, pasi veshkat e pafuqishme nuk e nxjerrin dot ujin e tepërt nga sistemi.

Urinimi është pasqyra e parë e shëndetit të veshkave Çdo ndryshim, si urinimi i shpeshtë gjatë natës, urina me shkumë ose prania e gjakut, duhet parë me shqetësim. Kur veshkat nuk punojnë, organizmi pëson një lloj vetë-helmimi që quhet uremia.

Kjo sjell humbje të menjëhershme të oreksit, shije të keqe në gojë dhe madje të përziera, duke ndikuar direkt në peshën trupore. Një shenjë që shpesh neglizhohet është kruarja e lëkurës dhe tharja e saj, që vjen nga çekuilibri i fosforit dhe mineraleve.

Po ashtu, anemia e shkaktuar nga sëmundja e veshkave i bën të moshuarit të ndiejnë të ftohtë edhe në mjedise të ngrohta. Në nivelin e aftësive njohëse, konfuzioni ose luhatjet e humorit mund të ngatërrohen me demencën, në një kohë që shkaktari i vërtetë mund të jetë mosfunksionimi i veshkave.

Në fazat më të rënda, shfaqen vështirësi në frymëmarrje dhe çrregullimet e rrahjeve të zemrës. Shkaqet kryesore mbeten sëmundjet kronike si diabeti dhe tensioni i lartë. Meqenëse dëmi zhvillohet ngadalë, mbrojtja më e mirë është vigjilenca.

Analizat e thjeshta të gjakut dhe urinës, mund ta kapin problemin përpara se ai të bëhet i pakthyeshëm. Zbulimi i hershëm jo vetëm që ngadalëson sëmundjen, por u dhuron të moshuarve mundësinë për të shijuar një jetë aktive dhe cilësore. /tesheshi.com/

Comments