Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska, e ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Tiranë, ku është pritur nga homologia shqiptare, Mimi Kodheli.
Dy ministret në takim janë pajtuar se politika e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal i jep impuls pozitiv sigurisë së rajonit dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.
“Faktet tregojnë se Maqedonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar dhe kanë zbatuar projekte në shkallë të gjerë në mënyrë bilaterale dhe rajonale, siç është Karta e Adriatikut, të cilën e kemi nisur së bashku me Kroacinë në vitin 2003”,- deklaroi ministrja e Mbrojtjes e RM-së, Radmilla Shekerinska.
Sheqerinska dhe Kodheli kanë biseduar edhe për ballafaqimin me rreziqet, luftën kundër fundamentalizmit dhe ballafaqimin me kërcënimet nga terrorizmi, për çka dy ministret shprehën gatishmërinë e bashkëpunimit. Ministrja Kodheli i ka vlerësuar reformat ushtarake që i bën Maqedonia. Ajo premtoi përkrahje të fuqishme të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
“Ne vlerësojmë dhe nxisim në vazhdimësi përpjekjen dhe punën e Maqedonisë për reformat në fushën e mbrojtjes. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, ndjek nga afër përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancës. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt NATO-s”,- u shpreh ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli.
Ministrja Sheqerinska e vizitoi edhe batalionin e Forcave Speciale të Armatës së Shqipërisë.