Sherifi: Rrënim apo zëvendësim i murit ilegal me një mur legal?

191

Sherifi: Rrënim apo zëvendësim i murit ilegal me një mur legal?

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën thotë se ende nuk po dihet a do të rrëzohet muri pranë urës mbi lumin Ibër, apo thjeshtë do të jetë zëvendësim me një tjetër muri. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në Facebook, ai thekson se në marrëveshjet me Serbinë gjithmonë ekzistojnë dy interpretime, sikurse edhe në rastin e murit.

Shkrimi i plotë i Sherifit në Facebook:

Rrënim apo zëvendësim i MURIT Ilegal me një MUR Legal?

Si zakonisht, kur janë në pyetje marrëveshjet me Serbinë, sërish kemi dy interpretime kundërthënëse me njëra tjetrën. Përderisa bartësit e institucioneve qëndrore të Kosovës thonë se është arritur marrëveshja për rrënimin e murit, kryetari i Komunës Veriore të qytetit të Mitrovicës Goran Rakiq thotë se marrëveshja në fakt parasheh jo vetëm rrënimin e murit aktual por njëkohësisht edhe ndërtimin e një tjetri, vetëm se ky nuk do të jetë më ilegal dhe 2 metra i lartë por legal dhe me një lartësi prej vetëm 1.20 metra, si dhe do të vendoset disa metra më brenda zonës së këmbësorëve në sheshin e qytetit. Kjo është ajo që thotë Goran Rakiq.

Tash, nëse në marrëveshje nuk ka diçka tjetër e cila nuk është bërë ende publike, atëherë del se kjo marrëveshje më shumë është arritur për t’ua shpëtuar “fytyrën” drejtuesve të institucioneve, (nëse u ka mbetur ende), të cilët me deklarata të forta kundër murit kishin rritur shumë pritjet e qytetarëve, se sa për të hequr njëherë e përgjithmonë murin edhe si mjet edhe si koncept të cilin Serbia është duke e përdorur në funksion të ndarjes së veriut të Kosovës!

Ditëve në vazhdim do të shihet se cili nga dy interpretimet e marrëveshjes do të gjej zbatim. Gjithashtu, ditëve në vazhdim do të shohim se a bëhet fjalë për një marrëveshje për rrënim të murit apo për një marrëveshje përmes së cilës vetëm bëhet zëvendësimi i murit Ilegal me një mur Legal. Dhe, me këtë edhe nënshtrimi përfundimtar para politikës së mureve!

Comments