Shesheli alarmon se shqiptarët planifikojnë sulme të armatosura në veri

164

Lideri i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojisllav Sheshel ka deklaruar sot se disponon informata, sipas të cilave shqiptarët po planifikojnë që në ditët e ardhshme “të kryejnë sulme të armatosura” në katër komuna në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë, transmeton Koha.net.

“Serbët duhet të jenë të gatshëm që të mbrohen nga sulme të befta të armatosura. Serbët nuk janë ata që provokojnë, të cilët duan incidente, por nëse dikush sulmon vëllezërit tanë në Kosovë, Serbia nuk guxon të qëndrojë duarlidhur”, citon Sheshelin agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Ai ka shtuar se Serbia duhet të bëjë gjithë atë që mundet për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Shesheli tha se i bëri publike informatat që ka me qëllim që shqiptarët të heqin dorë nga qëllimi i tyre, por edhe për t’ua bërë me dije autoriteteve në Serbi që të reagojnë dhe t’i mbrojnë serbët.

“Me rëndësi është që shqiptarët ta dinë se shteti do të reagojë, në mënyrë që të shmangen incidentet”, citohet të ketë thënë Sheshel.

Propaganda aktuale serbe për sulme të imagjinuara nga shqiptarët mbi popullsinë serbe në Kosovë të përkujton vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta të regjimit të Millosheviqit, kur e gjithë makineria propaganduese e Beogradit trillonte lajme për sulme, dhunime e çfarë jo tjetër të shqiptarëve ndaj serbëve “të pambrojtur” e “paqësorë”.

Comments