SHGM përshëndet vendimin e Strazburgut, kërkon përgjegjësi nga Kushtetuesja
Pas vendimit të Gjykatës në Strasburg i cili ishte në favor të gazetarëve që ishin larguar me dhunë nga Kuvendi në vitin 2012, kreu i SHGM-së Naser Selmani kërkon përgjegjësi nga gjykatësit e Kushtetueses, të cilët sipas tij nuk kishin dënuar dhunën ndaj gazetarëve. Ai tha se vendimi i Strasburgut është motiv shtesë për të gjithë gazetarët në vend.
Gjykata Kushtetuese lëshoi rastin historik për të vërtetuar një shkelje të dukshme të lirisë së fjalës. Po të kishte ngelur vetëm pak integritet profesional dhe njerëzor tek gjykatësit kushtetues ata menjëherë do të duhet të jepnin dorëheqje. Ky vendim i cili është miratuar njëzëri nga juria e gjykatësve jep një mesazh të fuqishëm për gazetarët: Përpjekja për liri gjithmonë fiton; Drejtësia vonon, por nuk harron. Njëkohësisht është edhe porosi për unitet dhe solidaritet mes gazetarëve. Si gazetarë duhet të vazhdojmë kërkimin për të vërtetën – tha Naser Selmani, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.
Avokati i gazetarëve Filip Medarski tha se pas vendimit të Strasburgut, Institucionet në vend duhet të marrin përgjegjësi dhe të përdorin mekanizma parandalues që shkeljet e njëjta të mos përsëriten në të ardhmen.
Rëndësia e këtij gjykimi është se është i pari për Republikën e Maqedonisë, me të cilin vërtetohet shkelje e lirisë së fjalës dhe i pari me të cilin vërtetohet shkelje e gjykimit fer në procedurën para Gjykatës Kushtetuese – shpreh Filip Medarski, avokat.
Më 24 dhjetor të vitit 2012, eskaloi situata në Kuvend teksa po miratohej buxheti për vitin 2013. Sigurimi i Kuvendit kishte larguar me dhunë gazetarët nga galeria me qëllim që të mos regjistrojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodhte në sallën kryesore.