Marrëdhënia joshembullore dhe arrogante e shoqëruar me kanosje për padi për shpifje ndaj gazetarëve e hijezoi konferencën e sotme për shtyp që e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski, reagojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.
“Kanosjet e tilla të drejtpërdrejta për inicimin e procedurave gjyqësore ndaj gazetarëve nga përfaqësues të lartë të Qeverisë paraqesin presion ndaj gazetarëve që mund të rezultojë me vetëcensurim”, reagojnë nga SHGM.
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, sipas SHGM-së, është e nevojshme ta dijë se mospërgjigja në pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp, të cilën ai vetë e organizoi, por edhe me marrëdhënien e ashpër ndaj disa gazetarëve të veçantë të cilët janë të pranishëm në ngjarje, e prish konceptin e transparencës të cilën Qeveria po tenton ta përfaqësojë.
“E përkujtojmë Rashkovskin se nëse është i pakënaqur prej standardeve etike të një produkti mediatik apo gazetaresk, atëherë ai mund të shtrojë parashtresë në trupat rregullatore mediatike”, theksojnë nga SHGM.
Nga SHGM theksojnë se përfaqësuesit e lartë të Qeverisë, por edhe në përgjithësi personalitete të larta publike që janë pjesë e skenës politike, duhet të kenë prag të lartë të tolerancës kur ndaj tyre thuhet ndonjë kritikë nga gazetarët.