Shilegov: “Shkupi 2014” përbën kërcënim
Ekipe të ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe kanalizimi” i pastrojnë pusetat para Ministrisë së jashtme. Trafiku është i bllokuar për të tretën ditë me radhë, pasi që një investitor privat ka shkaktuar defekt në tubacionin kryesor të kanalizimit në Shkup.
Nga ndërmarrja “Ujësjellësi dhe kanalizimi” shprehen se ende janë duke bërë analiza dhe pasi të përfundoj riparimi do të dihet nëse do të parashtrojnë padi ndaj investitorit privat. Ndërkohë, inspektorët e komunës Qendër i kanë dorëzuar investitorit një vendim për ndërprerjen e ndërtimit. Nga LSDM nuk shikojnë përgjegjësi te kryetari i komunës, Andrej Zhernovski.
“Nuk mund të ketë përgjegjësi, meqë këto ndërtime kanë filluar, janë lëshuar leje ndërtimi, janë regjistruar në planet urbanistike, para se LSDM të merr përgjegjësi për punën e komunës Qendër. Ndoshta ka një vonesë të vogël në daljen e organeve të inspektimit, por duke marrë parasysh se si ishte dendësia në këtë pjesë të Shkupit dhe pamundësisë për të hyrë brenda, nuk ekzistonte një mënyrë tjetër”, tha Petre Shilegov, LSDM.
Shilegov bën të ditur se ujërat kanë dëshmuar se projekti “Shkupi 2014” përveç se shërben për larjen e parave për Nikolla Gruevskin po bëhet edhe rrezik real për sigurinë e qytetarëve. Prandaj, opozita kërkon që të gjitha institucionet të lejojnë qasje të papenguar të ekipeve të gazetarëve brenda në podrumet dhe themelet e objekteve që qytetarët të shohin se si duken ato.