Federata e Futbollit e Luxembourgut ka njoftuar shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit të kombëtares së femrave, Daniel Santos, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme ndaj disa lojtareve të ekipit.
Sipas komunikatës zyrtare të Luxembourg Football Federation (FLF), trajneri 44-vjeçar u largua nga detyra për shkak të “parregullsive serioze” që i janë paraqitur federatës. Santos kishte marrë drejtimin e ekipit në vitin 2020 dhe më parë kishte punuar si ndihmëstrajner i përfaqësueseve të moshave të reja mes viteve 2019 dhe 2020.
Federata bëri të ditur se ndaj trajnerit janë paraqitur disa ankesa nga lojtaret, të cilat kanë raportuar për mesazhe të papërshtatshme të dërguara prej tij. Sipas FLF-së, këto sjellje janë konsideruar të papranueshme, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhënien e autoritetit dhe përgjegjësisë që trajneri kishte ndaj lojtareve.
“Kjo sjellje bie ndesh me vlerat etike dhe standardet e respektit që kërkon federata jonë,” thuhet në deklaratë. Organizata theksoi se ka vepruar menjëherë për të mbrojtur lojtaret dhe për të ruajtur integritetin e ambientit sportiv.
Sipas federatës, dëshmitë e mbledhura dhe humbja e qartë e besimit nga ana e lojtareve e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin, duke çuar kështu në vendimin për shkarkimin e tij të menjëhershëm.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në futbollin e vendit, ndërsa federata ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë standardet e etikës dhe sigurisë për të gjithë sportistët

