Shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të emigrantëve

276

Me bashkëpunimin e forcave policore të Greqisë, Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi është realizuar me sukses një operacion për shkatërrimin e një rrjeti kriminal që trafikonte emigrantë nëpërmjet Adriatikut drejt Italisë.

Në këtë rrjet, rol të rëndësishëm kishin ish-kontrabandistë cigaresh nga Shqipëria, të cilët bashkëpunonin me keqbërës grekë italianë dhe malazezë. Trafikantët shqiptarë gjenin skafe të shpejta për transportin, kurse grekët dhe italianët kishin marrë përsipër trafikimin e emigrantëve.

Siç njofton Top Channel, hetimet për asgjësimin e këtij grupi kanë nisur nga organet greke të rendit dhe ato italiane, ndërsa më pas kanë dhënë ndihmën e tyre edhe specialistë të policisë kundër krimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Pasi janë mbledhur gjithë të dhënat, janë gjetur fakte se ky rrjet ka kryer trafikime të panumërta emigrantës, kryesisht nga Siria, Somalia dhe Iraku, duke i sjellë ata nga Turqia drejt Italisë, nëpërmjet Greqisë.

Sipas dëshmive në hetime, rrjeti kërkonte 4500 euro për çdo emigrant që do të shkonte në Brindizi ose Salento në jug të Italisë. Shtetasit shqiptarë që ishin drejtuesit e skafeve merrnin për çdo rrugë rreth 10.000 euro fitim dhe më pas shisnin skafet tek kompani të ndryshme apo persona privatë.

Deri tani, nga 26 persona të përfshirë në këtë rrjet janë arrestuar vetëm 6 italianë dhe një grek, ndërsa janë dhënë mandat-arreste nga policitë e tre shteteve si dhe nga Europoli për gjithë anëtarët e tjerë.

Comments