
“Në këto 3 ndeshje kemi bërë shumë mirë, pasi kemi marrë 7 pikë dhe kemi luajtur mjaft mirë, Duhet t’u japim vazhdimësi rezultateve, pasi kjo është mjaft e rëndësishme për një skuadër. Kam vënë re që djemtë janë entuziastë dhe kanë dëshirë për të vijuar të bëjnë mirë”, deklaroi Shkëmbi.
Përballja me bardheblutë konsiderohet e vështirë, megjithatë problemet që ka pasur ekipi kryeqytetas, nuk e “përgjumin” teknikun e “djemve të detit”.
“Pavarësisht problemeve në aspektin e rezultatit, Tirana lojërat i ka bërë të mira dhe është një ekip shumë i fortë. E njoh mjaft mirë Tiranën, ashtu si të gjithë klubet e Superiores, por ne do të vijojmë me dëshirën dhe mënyrën tonë për të kërkuar fitoren”, tha Shkëmbi.
Të gjithë në kampin durrsak po punojnë me një synim të vetëm në horizont, pjesëmarrjen në Ligën e Europës, për momentin të ëndërrosh për më shumë është e tepruar.
“Ndoshta kur i sheh nga jashtë, është e vërtetë që duket se janë të gjitha në të njëjtin nivel. Ne kemi vendosur që t’i marrim me radhë dhe të shikojmë hap pas hapi, se deri ku mund të shkojmë”, tha trajneri i Teutës.
Tekniku korçar është i gatshëm të lidhet ngushtë me projektin e Teutës, duke vijuar bashkëpunimin edhe përtej një sezoni, por gjithçka do të varet nga rezultatet.
“Dëshira është e madhe për të vijuar sa më gjatë, pasi kemi gjetur kushte optimale në klub, për të punuar mirë. Do të bëjmë maksimumin, për të pasur rezultate sa më të mira dhe më pas të shpresojmë që të mbetem gjatë këtu”, tha Blendi Shkëmbi.
Në 3 vitet e fundit përballjet mes Teutës dhe Tiranës janë dominuar nga ekuilibri pa gola, 6 nga 8 sfida kanë përfunduar me rezultatin 0-0