Shkëndija kalon me sukses testin e tretë (Video)

206
30012017-matchreport.jpg

Shkëndija ka zhvilluar testin e tretë në përgatitjet që janë duke u zhvilluar në Antalia të Turqisë, duke mundur 2:0 skuadrën e vendit të dytë të kampionatit sllovak, Podbrezova. Fehan Hasani dhe Shpend Asani realizuan golat për ‘kuqezinjtë’.Takimi u ndoq nga tribuna edhe nga seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski.

Ndeshja e tretë kontrolluese në Antalia të Turqisë ishte mundësi e re për stafin teknik për të testuar futbollistët dhe disa sisteme të lojës që mund të përdoren në kampionat. Brdariç nga fillimi në lojë inkuadroi të riun Arbin Zejnullai, ndërsa partner i Cuculit në mbrojtje startoi Pollozhani. Shkëndija kishte dominim të plotë dhe në minutën e 4-t Medjedoviç provon me goditje të ashpër, por për pak skaj portës. Katër minuta më vonë situatë e ngjashme për Ibraimin, por përfundimi identik, topi shkon pranë portës.

Në minutën e 27-të kapiteni Hasani depërton shpejtë në zonën kundërshtare dhe me të majtën nën portierin sllovak dërgon topin në rrjetë për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Në fillim të pjesës së dytë Brdariç bëri disa zëvendësime, ndërsa deri në fund të ndeshjes inkuadroi gjithë futbollistët që kishte në pankinë, në përjashtim të portierëve Zahov dhe Nuhii.

Nga 90-të minuta luajtën vetëm portieri Jovanovski dhe Artim Pollozhani. Rezultati final u vendos në minutën e 79-të, kur Shpend Asani vjedh një top nga mbrojtësi kundërshtar, kalon portierin dhe përcjell topin në rrjetë për epërsi 2:0. Stafi teknik ka mbetur i kënaqur me atë që zbatuan futbollistët në fushë në aspektin tekniko-taktik, si dhe angazhimin e tyre në fushë.

 02.02.2017, 12:48  | A.A. | 240 i lexuar
Comments