Shkëndija me recetën e Evropës kundër Vardarit (VIDEO)

166

Moebel THEMA

shkendija

Shkëndija të dielën në Shkup përballet me Vardarin në takimin e vlefshëm për xhiron e dytë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Ndeshja luhet nga ora 17:30, është shpallur e rrezikut të lartë, ndërsa ndalohet prania e tifozëve mysafirë, në këtë rast të Shkëndijës.

Xhiroja e dytë se sezonit të ri të futbollit në elitën e Maqedonisë sjell derbin e madh ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës. Përballja e parë nga katër sa parashihet të luhen gjithsej në kampionat do të zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, ku si vendas luan ekipi i Vardarit, mirëpo nuk është se Shkëndija do të ndjehet si mysafire duke ditur se aty ekipi zhvillon ndeshjet ndërkombëtare dhe këtë verë ka luajtur tre takime në Liga Evropa, me Krakovian e Polonisë (2:0), Neftchin e Azerbajxhanit (1:0) dhe Mllada Bolslavin nga Republika Çeke (2:0) të gjitha të fituara pa gol të pranuar. Pikërisht forma e shfaqur në ndeshjet e Liga Evropës do të jenë modeli që Shkëndija do të kërkojë kundër Vardarit, në kërkim të fitores dhe tre pikëve nga kjo përballje.
“Pas ndeshjeve të zhvilluara në Evropë, të gjitha takimet ishin kualitative e me rritëm të lartë, filluam sezonin në mënyrën më të mirë. Tani kemi ndeshje me rivalin direkt që besoj se do të konkurojmë për titullin dhe Kupën e Maqedonisë. Mendoj se me angazhim maksimal do t’ia dalim edhe këtë ndeshje të dalim me fitore dhe shpresoj që të marrim rezultat pozitiv. Në këtë ndeshje do të jemi mysafir në Shkup, shkojmë për rezultat pozitiv. Unë mund të premtoj në emër të gjithë futbollistëve se do të japim maksimumin në teren dhe të marrim një rezultat pozitiv për ne“, deklaroi mesfushori Besir Demiri.
Marjan Radeski që lëshoi ndeshjen me Sileksin për shkak të një shqetësimi i ardhur nga mbingarkesa, ka nisur të ushtrojë dhe stafi teknik para takimit do të vendosë nëse do të përfshihet për këtë ndeshje. Futbollistët tjerë janë të gatshëm për lojë dhe pritet të japing më të mirën në këtë përballje.
Vlen të ceket se kjo ndeshje është shpallur e rrezikut të lartë dhe njëjtë si në të kaluarën sërish ndalohet prania e tifozëve të Shkëndijës.
Përballja Vardari-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 17:30.

Comments