Shko dhe fotografohu me lopat në Hasanbeg
Hamdi Nuhiju
Hasanbegun dhe fshatrat përreth i ka kapluar katastrofa e vërshimeve që vikendin e kaluar ndodhi aty nga të rënat e pandalshme të shiut. Si rezultat i vërshimeve ka pasur viktima në njerëz, deri më tani dihen për 21 viktima, ndërsa ende është duke u gjurmuar pas personave të zhdukur të cilët mund të janë viktima të radhës nga kjo katastrofë e madhe natyrore. Banorët e Hasanbegut dhe fshatrave përreth përveç traumave që kanë përjetuar nga vikendi i kobshëm për to, mund të pësojnë ende më keq nga kategoria e njerëzve që japin mendime dhe vlerësime të ndryshme nga një pjesë e Maqedonisë, se si të zgjidhen problemet atje, pa mos marr pjesë aktive në zbutjen e kësaj katastrofe që i ka kapluar të njëjtit. Në Hasanbeg dhe rrethinë ka krizë humanitare. E gjithë bota është çuar në këmbë. Qytete të ndryshme të Maqedonisë Lindore dhe Perëndimore, dhe shtete të ndryshme janë vënë në shërbim për t`i ndihmuar banorët e dëmtuar nga katastrofa e vërshimeve. Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, dhe njëherit edhe kryetar i Komunës së Strumicës, të gjitha kapacitetet e Komunës së Strumicës dhe partisë së tij, LSDM, i ka vënë në funksion të zgjidhjes së krizës humanitare që ka kapluar Hasanbegun dhe fshatrat përreth. Po ashtu edhe e gjithë selia e BDI-së është vënë në lëvizje për t`i ndihmuar banorët e këtyre fshatrave. Nikolla Gruevski, ish kryeministër i Republikës së Maqedonisë po garon me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev se cili do të arrij i pari në Hasanbeg për t`i ndihmuar ose vetëm fotografuar me banorët shqiptar atje. Mediet bullgare raportuan për sjelljen brutale të truprojës së Nikolla Gruevskit nda një banori të Hasanbegut. Shumë shoqata humanitare tashmë gjenden në terren në Hasanbeg dhe fshatrat përreth dhe janë duke i kryer detyrat e tyre dhe misionin fisnik për ta zbutur sado pak këtë krizë humanitare që i ka kapluar këto banor të këtyre fshatrave. Edhe individ të caktuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë po marrin pjesë në Hasanbeg dhe fshatrat përreth. Prezencën e tyre po e kuptojmë nga fotot që po i bëjnë, duke alarmuar për ndihmë dhe duke marr pjesë edhe vet në ndihmën ndaj popullatës së këtyre anëve. Në gjithë këtë katrahurë natyrore është e thuajse e pamundshme të shpëtojmë nga shitja-mend e personave që facebookun e kanë ushqim të tyre shpirtëror dhe material. Ata ndoshta asnjëherë nuk kanë qenë në Hasanbeg dhe as që e dinë rrugën se ka shkohet, tani nisën me kritika dhe shitje mendsh për personat që po shkojnë në Hasanbeg, po fotografohen dhe fotografitë e tyre po i postojnë në rrjetet sociale. I sugjeroj personave të këtillë që po luajnë rrolin e më të mençurve të kësaj bote, që të dalin nga Facebooku, të shkojnë në Hasanbeg, të fotografohen, dhe fotografitë t`i nxjerrin në Facebook. Nuk kanë nevojë banorët e Hasanbegut për ndihmën e tyre, thjeshtë le të shkojnë dhe le ta shohin tmerrin me sy. Le t`i zihet fyti nga ajo gjendje e tmerrshme dhe nëse janë njerëz e jo vetëm fantom-përdorues Facebooku bile një lutje dhe apel do të kishin dërguar për ato banor të atyre vendeve. Tash nuk është koha për shitje mendsh. Ikë nga Facebooku dhe shko fotografohu në Hasanbeg.