Shkodër, 4 këshilltarë të LSI shkojnë me PS, Kryemadhi: Të lirë të ikin ku të duan

418
fresco

Lëvizjet brenda radhëve të LSI-së vijojnë, sërish drejt mazhorancës socialiste, këtë herë në Shkodër. Katër anëtare të Këshillit Bashkiak kanë deklaruar bashkimin me PS-në, duke fajësuar atë që e cilësojnë “koalicion antiperëndimor LSI-PD”.

Vet të larguarit, Mirjam Bleta, Sokol Jubica, Elton Radovani dhe Roza Dedvukaj, shpjeguan përpara mediave vendimin e tyre.

“Për fat të keq, LSI dhe PD lanë pas krahëve ëndrrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, duke u investuar në një kthim të fuqishëm kursi nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja. Koalicioni antiperëndimor LSI-PD është kthyer tashmë në një koalicion antishqiptar, që me parà të errëta kërkojnë të vënë në jetë një skenar ogurzi për Shqipërinë. Deklarojmë sot, përfundimisht, largimin nga grupi i këshilltarëve të LSI-së, largimin nga politika antishqiptare e Lulzim Bashës dhe të koalicionit LSI-PD, të bekuar nga qarqet proruse që kërkojnë të marrin peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Mirjam Bleta, këshilltar bashkiak i PS-së, Shkodër.

Në një prononcim për mediat teksa uronte Sulltan Nevruzin, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi teksa komentoi largimin e këshilltarëve të vet tha se çdo anëtar i LSI është i lirë për të qenë kudo.

“Sot është ditë paqe, nuk është ditë as për të cilësuar apo për tu marrë me lajme të vjetra. Dua tu them dhe diçka tjetër, anëtarët e LSI janë të lirë për të qenë kudo që janë po di të them që realitetin ku ne jetojmë nuk e ndryshojnë as këshilltarët dhe as deputetët. E rëndësishme është që të ndryshojmë e tu japim shqiptarëve më shumë punë, më shumë mirëqenie dhe më shumë begati”, tha Kryemadhi.

Nga 10 këshilltarë gjithsej, tashmë LSI-ja mbetet me vetëm 6 në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Këto lëvizje vijnë pas atyre në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Belsh, Skrapar e Kurbin. Beteja për zgjedhjet e ardhshme vendore duket se ka nisur, edhe pse një vit larg tyre, dhe rruga më e zakonshme në këtë kohë është nga LSI-ja drejt PS-së.

Comments