Shkolla fillore e Hasanbegut do të jetë gati për nxënësit më 1 shtator

378

 

Janë duke pastruar të gjithë hapësirat e shkollës që sa më shpejt të bëhen gati gjërat për vitin e ri shkollor.

Shkolla fillore 25 maji në Hasanbeg të Shkupit sipas drejtorit është e gatshme për 1 shtator.

Ai siguron se shkolla është dezinfektuar e tëra, si dhe klasat janë gati për t’i pritur nxënësit.

“Shkolla është gati për vitin shkollor duke e pas parasysh që shkolla jonë ka qenë bartëse e shtabit të krizës, ku ne me sukses e kemi mbaruar gjithë pastrimin dhe jemi në fazën përfundimtare. Ne i presim nxënësit me 1 shtator në shkollë të gatshme për pranimin e tyre”, tha Fadil Murtezani.

Godina e kësaj shkolle për dy javë rresht ka qenë në shërbim të ekipeve të emergjencave dhe atyre humanitare, të cilat nga këto hapësira koordinuan shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga vërshimet e 6 gushtit.

Meqë shërbeu për këtë qëllim, mija veta hynë e dolën aty, dhe pati nevojë për pastrim të detajuar.

Pastruesit po tregojnë se sa punë kishte.

“Ky vit i pastrimit është më i veçantë se kemi pasur më shumë, mbeturina, baltë besoj se deri të premten do të pastrojmë gjithçka. Po kati i dytë përfundoi me pastrimin tash jemi katin përdhesë dhe deri të premten do të jetë gati”, tha Bashkim Mustafa.

Para disa ditëve shkolla periferike e 25 majit ishte demoluar nga persona të pa njohur, por sipas drejtorit këto hapësira kanë filluar të rregullohen për 1 shtatorin.

“Po edhe shkolla periferike është gati. I kemi rregulluar të gjitha bankat e thyera edhe atje jemi duke bëre dezinfektimin e objektit brenda 2 dite edhe ajo shkollë periferike do të jetë gati”, tha ai.

Drejtori i shkollës tha se zgjidhje ka edhe për oborrin e shkollës i cili shërbeu si vend për grumbullimin e mbeturinave që u sillnin nga shtëpitë e vërshuara në Hasanbeg.

Në shenjë solidariteti për katastrofën që pësoi ky rajon, një shoqatë nga Zvicra solli 100 çanta ne pajisje shkollore për nxënësit e kësaj shkolle.

Comments