Në vend që t’i siguroj shteti, shkollat në Strugë lekturat më të reja në gjuhën shqipe i marrin në panairin e librit në Tiranë. Nëpër bibliotekat shkollore më shumë ka lektura nga ish sistemi komunist, të cilat nuk janë në përdorim. Mungojnë lekturat që parashihen sipas programit aktual mësimor. Në gjimnazin “Ibrahim Temo”, nxënësit dhe profesorët çdo vit tubojnë mjete dhe blejnë lektura në Tiranë.
Edhe profesorët ballafaqohen me të njëjtin problem. Ata thonë se numri i lekturave është i vogël dhe nuk i përmbush nevojat e të gjithë nxënësve.
Nga 10.080 tituj të lekturave në bibliotekën e gjimnazit në Strugë, vetëm 30% janë në gjuhën shqipe. Nga ministri e arsimit thonë se ky problem nuk është në kompetencën e tyre. Ata thonë se ministria as nuk shtyp e as nuk shpërndan lektura. Nëse nxënësit nuk mund t’i gjejnë nëpër bibliotekat e shkollës, duhet të shkojnë nëpër bibliotekat publike. Ndërsa, nëse në shkollë mungojnë lektura, atëherë duhet t’i gjejnë vet.
Miki Trajkovski