TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Është e vështirë të pranosh njoftime të hidhura për ndarje nga jeta të njerëzve, sidomos për ata që ke bashkëpunuar dhe i ke njohur nga afër për vlerat që përfaqësojnë dhe kontributin që japin për të mirën e përgjithshme.
Njëri prej tyre ishte edhe Dr. Sc. Hamdi Mediu, që fatkeqësisht sot ka ndërruar jetë, duke lënë pas vete një veprimtari shembullore në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës. Ne që kemi patur fatin ta njohim, (e që jemi shumë), çmonim te miku ynë pozitivitetin që reflektonte në shoqëri, entuziazmin në punë për interesin publik dhe gatishmërinë për t’i shërbyer një kauze të caktuar që në bazën e saj e kishte – interesin kombëtar. Nuk do ta harrojmë kurrë kontributin e tij të vyer që ka ofruar në shoqatën tonë – Shoqatën për kulturë dhe art “Tradita”, aq më tepër hulumtimet shkencore që i ka paraqitur në kuadër të konferencave shkencore që i kemi organizuar.
Do të doja të ndaja me Ju, një pjesë të punimit shkencor të tij për “Demonstratat e vitit 1968”, që e ka prezantuar, me 10 qershor 2017, në konferencën shkencore kushtuar: “Të persekutuarve dhe të burgosurve politikë shqiptarë në RM”, ku mes tjerash ai theksonte: “Demonstratat e vitit 1968 mbeten një ngjarje e shënuar në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo ngjarje realisht shënon reagimin më dinjitoz ndaj një sistemi, i cili në esencë ishte kundër qenies shqiptare, kundër simbolikës që identifikon shqiptarët si komb me identitet dhe me një histori të bujshme. Pikërisht në këtë vit, tetovarët do të demonstrojnë vullnetin e tyre për identitet dhe për afirmim të identitetit të tyre historik dhe kulturore, duke shënuar kështu zgjimin e tyre kombëtar, një zgjim që do të vijë nëpërmjet shumë figurave intelektuale rezistuese, por edhe të rinisë së asaj kohe, e cila pa hezitim do të vihet në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, në mbrojtje të flamurit, të shpaluar nga veprimtarët e asaj kohe”.
Historia, etnografia, arsimi, dhe studimet shkencore për kombin shqiptar ishin preokupim i tij dhe si rezultat i këtij angazhimi ka botuar disa vepra me rëndësi për lëmenjtë e lartpërmendur.
Shoqata “Tradita” i është mirënjohëse për kontributin që dha në projektet tona, sikundër i jemi mirënjohës për veprimtarinë e begatë kulturore që realizoi deri sa ishte mes nesh. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet në radhë të parë familjes së respektuar Mediu, kolegëve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të panumërt….
Selam Sulejmani
Kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”