Shoqëri që vret dhe ëngjëjt që vdesin në gjumë

146

Moebel THEMA

Shkruan: Linda Karadaku

Evropa dhe bota kanë hyrë në një xhiro marramendëse, të papritur, shokuese dhe të paparashikueshme politike ndërkohë që në Shqipëri, dy tmerre, brenda 24 orëshe na ngjethën mishin duke na treguar se nuk ka armik në botë që vret në këtë vend saç vrasim ne vetë.

Them, vrasim ne vetë, sepse jemi të gjithë pjesë e kësaj shoqërie që vret. Një monstër, hedh gruan lakuriq nga dritarja e banjos e katit të katërt, ndërsa një tjetër mbyt dy fëmijë-ëngjëj që ikin nga kjo botë dhunshëm, tmerrshëm, pas vetëm pak, aq pak vitesh jetë para se të iki edhe vetë. Politika ndahet në komente, dikush thotë se diçka nuk funksionoi sic duhet, dikush thotë që ka burokraci, dikush se varfëria është shkaku, dikush se fajtore është politika vetë që promovon dhunën, duke harruar me dashje ose pa dashje, se të gjitha këto, janë arsye dhe shkaqe, por jo të vetmet. Problemi I vërtetë, real, thelbësor është vetë shoqëria dhe transformimi I saj regresiv dhe I dhunshëm, duke humbur vlerat njerëzore dhe respektin për më të cmueshmen gjë, JETËN.

Shoqëria dhe individët që e përbëjnë atë kanë një shpërfytyrim në thelbin e vet që prodhon monstra të tilla, një shpërfytyrim që sulmon dhe merr jetët e më të dobtëve, më të pambrojturve, sepse kanë forcën fizike për ta bërë, sepse një mashkull ka muskujt dhe krahë më të forta për ti vënë lakun në fyt, për ta hedhur nga dritarja, sepse një mashkull, sipas kësaj logjike, nuk ka nevojë për tru, po për përdorim të forcës fizike. Në thelb është forca dhe dhuna, jo argumenti, fjala kundër fjalës, jo jeta kundër vdekjes. Po të guxonim ta shihnim pak veten në pasqyrë si shoqëri, do të shihnin se ky model funksionon kështu, kaq frikshëm, kaq tmerrshëm, I forti ka të drejtën e forcës të vrasë, të marrë, të ulërasë, të dëgjohet, madje edhe të ecë përpara në jetë. I dobëti, I brishti, I miri, I ndershmi, I arsyeshmi ka lindur për të vuajtur, për tu dhunuar, për tu vrarë, për të heshtur nëse do të mbetet gjallë, për të duruar deri në infinit që “I forti” të ketë pak mëshirë, pak mëshirë…

Dhe shteti është aty, burokratik dhe i vonuar, që nuk ka ose nuk I përdor mekanizmat socialë dhe ligjorë për  të mbrojtur qytetarët e vet më vulnerabël nga monstruoziteti I këtyre që nuk di më as si ti quaj. Shumëkush I quajti kafshë këto monstra, duke fyer kafshët që luftojnë për të jetuar dhe mbijetuar, por nuk shqyejnë sojin e vet si këta. Pakkush bën pyetjen thelbësore, cfarë po ndodh me këtë shoqëri, pse dhe si arritëm deri këtu, cfarë I bëri gratë, vajzat dhe fëmijët shënjestra kaq të lehta për monstrat. Cfarë ndodh në mendjen e monstrave të tilla që arrijnë deri në marrjen e jetëve të pafajshme në mënyrë kaq makabre.  Dhe përsëri dhe përsëri bëj pyetjen, si arritëm deri këtu??? Cfarë e deformoi kaq përbindshëm këtë shoqëri, që vret, var, flak nga dritaret trupa grash dhe fëmijësh? Cfarë e deformoi këtë shoqëri kaq shumë sa të çohesh në mëngjes me frikën se kush e ka pasur rradhën sot për të shkuar dhunshëm në atë botë? A mund të rikthejmë vlerat e një shoqërie që respekton jetën e njeriut si më të shtrenjtën, më të paprekshmen, që lufton për ta mbrojtur atë, që kupton kodin bazik të besimit në Zot se ti nuk mund tia marrësh jetën fëmijëve, grave dhe vajzave të pambrojtura. Cfarë dreqin po ndodh në këtë vend, nuk ka Kanun, ligj dhe arsye ta shpjegojë! Dëshpërimisht, I lutem Zotit ta shpëtojë këtë vend nga monstrat; dëshpërimisht, I lutem Zotit të mbrojë të dobëtit, të pafajshmit, gratë dhë fëmijët; dëshpërimisht, I lutem Njeriut, të mbrojë Njeriun dhe Jetën!

Comments