Shorti, me kë mund të përballen klubet shqiptare në Europë

192
fresco

Vetëm Skënderbeu do të jetë i pozicionuar në vazon e parë pra në atë të skuadrave favorite në shortin që do të hidhet në datën 19 Qershor në Nyon të Zvicrës, nga 4 klubet shqiptare që do të marrin pjesë në edicionin 2017-2018 të Kupave të Europës.

Edhe nëse do të merrnin pjesë në turin e dytë të Uefa Champions League për shkak të koeficientit të lartë që kanë korcarët do të pozicionoheshin në vazon e ekipeve favorite. Por këtë fat nuk do ta ketë Kukësi që pavarsisht ecurisë së mirë që ka patur në Europa League gjatë 5 sezoneve të fundit ka një koeficient ende të ulët, vetëm 4,575.

Verilindorët e Ernest Gjokës me shumë gjasa do të peshkojnë një skuadër shumë të fortë në shortin e 19 Qershorit pasi bëjnë pjesë në vazon e dytë. E vetmja skuadër e kalueshme është kampionia e Islandës, Hafnarfjorour, sepse të gjitha ekipet e tjera kanë një shkallë shumë të lartë vështirësie për tu eliminuar. Objektivi i presidentit Gjici është të kalojë turin e dytë paraeliminator për të siguruar minimalisht pjesëmarrjen në play-offin e Europa Leagues por misioni do të jetë shumë i vështirë për Kukësin.

Kampionët e Shqipërisë mund ti luajnë shanset e tyre edhe ndaj moldavëve të Sherifit të Tiraspolit apo edhe ndaj Astanas, Rijekas, Malmos, Rosenborgut, Mariborit e Partizanit të Beogradit, por do të jetë shumë e vështirë, ndërkohë që verilindorët shpresojnë të mos përballen kurrësesi me skuadra të tilla si Celtic Glasgoq, Red Bull Salzburg, Fc Copenhagen, Ludogorets, Legia e Varshavës e Qarabag skuadra që kanë shumë eksperiencë në Kupat e Europës.

Në Europa League parashikohet një mision shumë i thjeshtë kalimi i turit të parë për Skënderbeun që nëse kualifikohet  do të jetë në vazon e parë edhe në shortin e turit të dytë. Korçarët kanë një koeficient goxha të lartë dhe në ruandin e parë kualifikues të këtij kompeticioni mund të peshkojnë edhe skuadra nga San Marino, Gjibraltari, Andorra, Irlanda e Veriut e Malta, ndërsa mund të përballen edhe me Prishtinën që debtuon në këtë kompeticion. Rreziku më i madh për klubin korcar është Shkëndija e Tetovës.

Kuqezinjtë janë një nga skuadrat më të forta që pozicionohen në vazon e dytë. Short më i vështirë në letër parashikohet për Partizanin dhe Tiranën. Dy klubet e kryeqytetit kanë koeficient të ulët dhe mund të përballen me emra të mëdhenj të futbollit europian që në turin e parë.

Për të shpresuar te kualifikimi në ruandin tjetër, të Kuqtë dhe bardheblutë duhet të evitojnë me çdo kusht skuadra të tilla si izraelitët e Maccabbit të Tel Avivit, danezët e Midtjylland, bjellorusët e Dinamo Minsk, finlandezët e Helsinikit, suedezët e Aik-ut të Stockholmit apo edhe serbët e  Vojvodinës dhe Crvena Zvedës, ndërsa kundërshtarë të vështirë për tu kaluar konsiderohen edhe ekipe të tilla si Videotoni, Ael Limasolit , Aek Larnaca, Slovan Bratislava, Altach dhe St Johnstone.

Për momentin është e vështirë të thuhen emra konkretë të rivalëve të mundshëm, pasi vetëm në turin e dytë kualifikues të Champions dhe në raundin e parë të Europa League, UEFA bën një ndarje gjeografike paraprake, e cila përcaktohet vetëm pak orë përpara hedhjes së shortit.

10 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Comments