Kryetari i Prishtinës, njëherësh lideri i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, do të jetë bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë. Ai këtë ekip do ta kryesojë së bashku me kryetarin e Nismës, dhe zëvendëkryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn.
Ligji mbi negociatat si dhe Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë do të votohen në seancën e nesërme në Kuvend. Partitë politike muaj më parë kanë nisur bisedimet për çështjen e krijimit të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Votimi i nesërm nuk është paraparë në agjendën të cilën e ka prezantuar kryesia sot por sipas burimeve bëhet e ditur që marrëveshja mes partrive është arritur sonte në orët e vona. Ndryshe ky vendim vjen në ditën e njëjtë kur krerët e shtetit patën takime me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Në Nenin 4 të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror në procesin e dialogut me Serbinë, rregullohet procedura për ngritjen e Delegacionit Shtetëror.
“Delegacioni Shtetëror për dialogun me Republikën e Serbisë do të mandatohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të këtij Neni. “Delegacioni Shtetëror do të jetë entiteti/organi i vetëm i autorizuar për ta drejtuar Dialogun”, thuhet në pikën pasuese dhe të vetme të këtij Neni.
Presidenti përmendet vetëm një herë në gjithë projektligjin, dhe atë në Nenin 11, që flet për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror.
Pika e parë e këtij Neni thotë se bashkëdrejtuesit janë përfaqësuesit e Delegacionit Shtetëror, në këtë rast një nga pozita e një nga opozita. Aty thuhet se “Delegacioni Shtetëror do ta mbajë të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në Procesin e Dialogut”.
3. Delegacioni Shtetëror:
Drejton procesin e dialogut me Serbinë;
Përfaqëson Republikën e Kosovës në Dialog;
Miraton strategjinë negociuese të përgjithshme dhe ato për secilën temë;
Bashkërendon agjendën e dialogut sipas Platformës shtetërore dhe sipas dakordimit me lehtësuesit/ndërmjetësuesit të dialogut;
Bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucional (President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, Ministra etj.) kur këto duhet të mbahen;
I raporton komisionit monitorues të Kuvendit pas cdo takimi me palën serbe, dhe/ose me lehtësuesit/ndërmjetësuesit;
Miraton pozicionet fillestare të Kosovës për secilën temë të dialogut.