Shpërngulja na la pa punëtorë, ankohen shefat në Maqedoni

270

Hapja e dyerve të tregut evropian të punës për punëtorët nga Maqedonia rrezikon ekonominë vendore. Afaristët ankohen se përkundër shpalljeve të shumta për punëtorë në sektorë të ndryshëm si ndërtimtaria, tregtia, hoteleria e kështu me radhë, ato kanë probleme të mëdha të gjejnë kuadër të nevojshëm për nevojat e tyre, shkruan gazeta KOHA. Shpërngulja e madhe e fuqisë punëtorë të aftë për punë qoftë për punë sezonale apo edhe për periudhë më të gjatë kohore, po shkakton mungesë të fuqisë punëtorë në tërë Maqedoninë.

“Në kompaninë tonë, nëse më parë për një punëtorë kemi pasur 140 aplikime, tani mezi kemi 10 punëtorë potencial. Shkak për mungesën e punëtorëve është shpërngulja në shtetet perëndimore, por edhe punësimi i fuqisë potenciale punëtore në zonat teknologjike”, thotë Irena Jakimovska, nga kompania “Komfi Angel”, nga Prilepi.

Sipas saj, sfidë në shtet duhet të jetë rritja e pagave dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve që si proces ka filluar, ndërsa duhet të mendohet dhe për mundësinë e importit të punëtorëve nga jashtë ngjashëm me përvojat bullgare që po sjellin punëtorë nga India dhe Kina.

ANKOHEN KOMPANITË

Ikja e fuqisë punëtore po pasqyrohet edhe në punën e fabrikave në shtet. Bile, analizat tregojnë se faktori kryesor që limiton punën e industrisë përpunuese dhe shfrytëzimin e kapaciteteve është mungesa e fuqisë punëtore. Raporti i fundit i Entit të Statistikës tregon se 23 për qind e kompanive përpunuese janë ankuar për mungesën e punëtorëve.

Në ndërkohë, biznesi kërkon nga Qeveria të ngadalësojë tempon e tërheqjes së investitorëve të huaj për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar në tregun e punës. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se nëse vazhdohet me këtë trend, nuk do të ketë kush të punojë tek investitorët e rinj. Afaristët kërkojnë edhe orientimin më efikas të të rinjve ndaj profesioneve profesionale, si dhe rishqyrtimin dhe ndryshimin e strategjisë arsimore.

Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se vetëm rritja e pagave të ulëta që nuk mjaftojnë për një jetë dinjitoze, mund të zbusë problemin e shpërnguljes së fuqisë punëtorë jashtë shtetit.

Nga Organizatat e Punëdhënësve presin që një pjesë e konsiderueshme e kompanive të fillojnë të shfrytëzojnë mbështetjen qeveritare prej 1000 denarë për rritjen e pagave nga 12 mijë deri në 15 mijë denarë. Në të kundërtën, rrezikojnë ndërprerjen e procesit të punës në ndërmarrjet e tyre, vlerësojnë përfaqësuesit e punëdhënësve.

Gjithashtu, në tregun e punës ekziston edhe dukuria e të papunëve që zgjedhin se çka do të punojnë dhe nuk pranojnë të punojnë për pagën prej 10 deri 12 mijë denarë. Puna në të zezë, ikja për punë sezonale jashtë shtetit ku për disa muaj fitohet shuma më e lartë se për 12 muaj në Maqedoni, si dhe ndihma e madhe nga mërgimtarët jashtë shtetit që sigurojnë së paku një minimum jetik për familjarët e tyre që jetojnë në vendlindje, vlerësohet të jenë shkaqet kryesore pse punëdhënësit nuk mund të gjejnë punëtorë për pagat e ulëta që ju ofrojnë punëtorëve. Ndryshe, në Maqedoni vite me radhë ekziston një kundërthënie në tregun e punës. Përkundër shifrës prej 180 deri 200 mijë të papunëve që kërkojnë apo jo punë në mënyrë aktive, megjithatë ofrohen vende 6000 deri 7000 vende të lira pune që nuk mund të plotësohen si rrjedhojë e pagave të ulëta.

14 PUNËTORË NË DITË NGA MAQEDONIA IKIN PËR NË GJERMANI

Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në vitin 2017, mbi 5000 qytetarë nga Maqedonia kanë fituar punë në Gjermani në bazë të së ashtuquajturës “Rregull i Ballkanit Perëndimor”. Nga i tërë rajoni, mbi 70 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar mundësinë që në mënyrë legale të punojnë në Gjermani. Gjysma e vendeve të punës që kanë fituar ballkanasit në ekonominë më të fuqishme evropiane është në ndërtimtaria ku janë sistemuar 31.257 punëtorë. Pason hoteleria me 11.934 punëtorë, shëndetësia me 7692 punëtorë të arsimit të mesëm dhe të lartë e kështu me radhë.

Comments