Shpërthen Blendi Fevziu: Ngela i befasuar nga ata që u gëzuan për vdekjen e Stefanit

194

Shpërthen Blendi Fevziu: Ngela i befasuar nga ata që u gëzuan për vdekjen e Stefanit

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka komentuar sot reagimet në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të analistit, Andrea Stefani.

Në një shkrim të botuar në ‘opinion.al’ ai shkruan se ka mbetur i befasuar nga mllefi dhe ekzaltimi i njerëzve për vdekjen e gazetarit Stefani.

“M’u kujtua ky citim i hershën ndërsa lexoja me dhimbje një pjesë të komenteve nën njoftimin tonë për vdekjen e parakohshme të Stefanit, nga një sëmundje e pashërueshme që ai nuk e mundi dot. Kam ngelur i befasuar nga cinizmi dhe mllefi që shoqëronte një pjesë të komenteve. Ashtu siç më ngjallnin një shije të keqe ekzaltimet pozitive që njerëzit i lëshojnë pa kontroll vetëm kur nuk je më. Andrea Stefani ishte njeri publik. Ai ishte një komentator shumë i pranishëm në ekran. Si gjithë njerëzit e angazhuar me media dhe politikë ai ndante emocione kontradiktore”, shkruan Fevziu.

Sipas tij “Kishte njerëz që e donin dhe të tjerë që nuk e pelqenin. Kishte njerëz që ekzaltoheshin, por edhe që prekeshin nga analizat e tij. Kjo botë e tillë është, asnjëherë uniforme dhe asnjëherë e kënaqshme për të gjithë. Dhe funksionon pikërisht si e tillë. Stefani nuk e fshehu kurrë se ishte një mbështetës i së majtës; ai mbeti një kritik i palëkundur i Sali Berishës si një njeri politik. Por njëkohësisht ai kishte një zë indipendent”.

“Vdekja s’ka ngjyrë dhe as tesër partie, ndaj përpara saj jemi të gjithë njësoj. Respektojeni atë, sepse këmbana që po bie sot për Andrean, do bjerë për secilin prej jush siç thoshte Heminguej. Andrea Stefani iku nga kjo botë, me siguri ashtu siç kishte dashur të ikte. Me bindjet dhe qëndrimet e tij. Mbështetës apo kundërshtar, ai ishte një zë origjinal, një zë që do t’ju mungojë të gjithëve, jo vetëm mbështetësve, por padyshim edhe kundërshtarëve të tij. Ndaj e vetmja gjë që mund t’i themi, është ajo që i urohet çdo njeriu që niset për në atë botë ku do shkojmë të gjithë një ditë: u prehsh në paqe o mik!”.

Comments