Pas një seancë maratonë, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të marrë një vendim brenda ditës së sotme për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Avokati mbrojtës i ish-ministrit kërkoi tre ditë kohë për të përpiluar materialin e mbrojtjes pas njohjes me faktet e reja të organit të akuzës gjatë seancës me dyer të mbyllura zhvilluar pasditen e sotme.
Drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Gramoz Ruçi tha se dita e hënë është tepër vonë dhe i la një afat palës mbrojtëse deri të shtunën paradite në orën 10:00.
Deputetët e Partisë Demokratike kundërshtuan si kërkesën e avokatit mbrojtës, ashtu edhe vendimin e drejtuesit të seancës Ruçi, duke kërkuar që të marrin një vendim brenda ditës së sotme.
Deputeti Enkelejd Alibeaj kërkoi që propozimi për zhvillimin e seancës ditën e nesërme të hidhej në votim, por Ruçi refuzoi duke mbyllur edhe mbledhjen e ditës së sotme.
Këshilli i Mandatave nisi mbledhjen rreth orës 11:00 të paradites së sotme, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda e përfaqësuesi nga drejtuesi Besim Hajdarmataj dhe prokurorët Elisabeta Ymeraj dhe Gentjan Osmani, publikuan edhe faktet të bëra publikë një ditë më parë që sipas tyre implikojnë Saimir Tahirin në grupin e trafikut të drogës.
Nga ana tjetër anëtarët e mazhorancës në Komision, kërkuan fakte konkrete që e përfshijnë Saimir Tahirin në këto akuza, por jo ato të publikuara në mediat italiane, çka solli edhe zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.
Nga ana tjetër opozita ka kërkuar që prokurorisë të mos i bëhet gjyq në këtë seancë.
Deputeti Saimir Tahiri duke iu drejtua Prokurorisë tha se ka qenë ai që ka kërkuar hetim në Prokurori për Habilajt, pas deklaratës në media se makina e tij është përdorur për trafik droge.
Seanca e pyetje-përgjigjeve në Këshillin e Mandateve u shoqërua me debate, ku socialistët pretenduan se provat e prokurorisë janë të pamjaftueshme për të legjitimuar arrestimin e deputetit Tahiri.
Edhe ky i fundit, pati pretendime për pamjaftueshmëri të provave nga organi i akuzës, çka bëri që rreth mesditës, Tahiri të largohej nga mbledhja për t’u rikthyer në seancën e pasdites me dyer të hapura.
Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit, vjen pas një dosje voluminoze të dërguar nga hetuesit italianë mbi përgjimet e kryera ndaj grupit të strukturuar kriminal të vëllezërve Habilaj nga Vlora.