Shqipëri –Izrael, kaos për ndërrimin e biletave

227

2012-09-11-0000000007724793

TIFOZËT TË CILËT KANË BLERË BILETË PËR NDESHJEN MES SHQIPËRISË DHE IZRAELIT KANË HASUR NË TELASHE PËR NDËRRIMIN E TYRE, PAS ZHVENDOSJES SË NDESHJES NGA SHKODRA NË ELBASAN

Të hënën, pas ndryshimit të agjendës për stadiumin, u bë edhe shpjegimi për mënyrën si do të vepronin ata tifozë që kishin blerë një biletë për në “Loro Boriçi”. Me anë të postimit zyrtar, apo edhe me anë të daljeve përballë publikut të përfaqësuesve të institucionit të futbollit në vend, u bë me dije se FSHF ka vënë në dispozicion të gjithë resurset e saj për t’u shërbyer tifozëve.

Në të vërtetë, dita e djeshme duket se e ka gjetur të papërgatitur vetë institucionin e futbollit. Ndonëse u njoftua se do të kishte disa pika fizike ku mund të ndryshoheshin biletat, në realitet tifozët janë përballur me dyer të mbyllura dhe radhë nëpër sportele.

Tiranë

Në dyqanin e FSHF-së, në rrugën e “Elbasanit” përballë Ambasadës Amerikane të Futbollit, dyqani ka qenë i mbyllur për shumë orë dhe tifozët janë përballur me radhë të gjata pritjeje. Siç shihet edhe në fotografi, korrektësia e përfaqësuesve të FSHF-së për t’u marrë me këtë proces nuk ka qenë maksimale.

Spostimi i ndeshjes ka prekur në radhë të parë këtë qytet. Jo vetëm për faktin se iu largua Kombëtarja, por për vetë afërsinë, kanë qenë të shumtë shkodranët që kanë nxituar të blejnë një biletë. Dje, në sportelin e biletarisë në stadiumin “Loro Boriçi” ka pasur një numër të konsiderueshëm tifozësh që kanë kërkuar të ndërrojnë biletën.

Deri në mesditë, ata kanë pritur me orë të tëra, por sporteli ka qëndruar i mbyllur. Ai është vënë në dispozicion të tifozëve vetëm gjatë pasdites. Megjithatë, punonjësit janë hasur me një kërkesë thuajse në masë të sportdashësve shkodranë që kanë kërkuar anulimin e biletave dhe kthimin e parave të paguara, por nuk kanë marrë një përgjigje.

Elbasan

Në lidhje me konvertimin e biletave nga stadiumi “Loro Boriçi” në “Elbasan Arena”, gjatë ditës së djeshme ka nisur edhe ndërrimi i tyre në sportelin në qytetin e Elbasanit pranë stadiumit. Përpos atyre që iu konvertuan biletat, shumë të tjerë paraqiteshin me shpresën për të blerë një të tillë.

Comments