Shqipëria në masa të rrepta, tuneli për Elbasan mbyllet në orën 17:00

194

Policia e Shtetit është duke vazhduar me përpikmëri planin e masave për garantimin e sigurisë së ndeshjes me Izraelin në Elbasan Arena dhe në kuadër të këtij plani, duke filluar nga ora 17:00, tuneli në rrugën Elbasan-Tiranë do të jetë i bllokuar dhe qarkullimi do të devijohet nga Durrësi.

Forca të shumta të policisë janë nisur në orët e paradites drejt Elbasanit, ku në orën 20:45 minuta “Kuqezinjtë” do të përballen me izraelitët në kuadër të eleminatoreve të botërorit të futbollit që mbahet në Rusi më 2018.

Një ditë më parë, skuadra e Izraelit zhvilloi stërvitjen nën masa të rrepta sigurie. Janë rreth 2 mijë forca të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe FNSH, ndërkohë që për sigurinë në hotelin ku qëndron skuadra mike është angazhuar edhe Garda e Republikës.

Dy ditë më parë, Top Channel raportoi se masat e sigurisë u përforcuan për shkak të sinjalizimeve të marra nga shërbimi sekret izraelit, Mossad për mundësinë e një sulmi ndaj skuadrës së tyre të futbollit.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë për Top Channel, ambasadori izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin nuk i cilësoi si të tepruara këto masa. Ai tha se Izraeli tregohet i kujdesshëm jo vetëm me ekipin kombëtar të futbollit, por edhe me atletët e tjerë në përgjithësi që pas sulmeve terroriste në lojërat olimpike të Mynihut në vitin 1972.

Comments