Shqiptarët s’janë kërkund në mbrojtjen e Maqedonisë, vetëm shifra simbolike!

356

Shqiptarët në Maqedoni janë të anashkaluar në sferën e mbrojtjes. Edhe pas shumë viteve përfaqësimi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën e Maqedonisë nuk përmbush shifrat e duhura, pasi që ka ngecje dhe diskriminim. Me këtë vlerësim është dalë edhe nga shumica e pranueshme në një konferencë të organizuar dje nga departamenti i mbrojtjes i ASH-së.

Ruzhdi Matoshi nga Departmaneti i Mbrojtjes i ASH-së thotë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në strukturat e mbrojtjes dhe shtetit ka qasje diskriminuese.
“Sipas statistikave zyrtare, numri i oficerëve është vetëm 11%. Nga 10 gjeneral që ka vendi, kemi vetëm 1 shqiptarë. Maqedonia nga pavarësimi i saj, ka vetëm një atashe ushtarak shqiptarë në diplomacinë ushtarake. Në zyrën e NATO-s nuk kemi asnjë oficerë shqiptarë që duhet të jetë pjesë e stafit. Dmth shifet një shpërfillje e kualitetit, ne kërkojmë që kualiteti dhe kuantiteti të mbrohen në bazë të ligjeve që janë, por ato nuk po zbatohen. Duke filluar nga ministrja, nga 15 këshilltarët shtetëror që ka vetëm dy janë shqiptarë. Nga organogrami ministrisë së mbrojtjes nga 17 sektorë vetëm dy janë shqiptarë.”, thekson Matoshi.

Stevo Pendarovski, koordinatori qeveritar për në NATO thotë se ka ndryshim të qasjes dhe zotim se do të arrihet përfaqësimi i duhur i shqiptarëve.
“Ne kemi profil ndryshe nga qeverisja e kaluar. 16 apo 17 % janë shifrat që nuk kanë ndryshuar gjatë 10 viteve të kaluara. Unë mendoj se Zaev se ka një qasje tjetër në këtë drejtim për dallim nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Dhe këtë do ta dëshmojë pasi që do të përfundojnë problemet politike që ka vendi për të zgjidhur. Do të kenë mundësi shqiptarët të jenë më inkluziv në të gjitha nivelet e shtetit, edhe në mbrojtje. Kjo do të përshpejtohet kur do të përfundojë procesi i qasjes për në NATO. “, theksoi Pendarovski.

Zv/ministri i mbrojtjes nga radhët e BDI-së, Bekim Maksuti në njërën nga intervistat e fundit thotë se gjërat kanë ndryshuar jo vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes por edhe në Armatë, ku numri i shqiptarëve aktualisht arrin në 1440 të punësuar ose 19.04%.
Sipas tij, rezulton që numri i shqiptarëve më shumë të jenë në logjistikë e më pak në njësitë ushtarake. “Tek njësitë speciale, numri është i ulët në këtë drejtim ka klimë pozitive të përmirësohet gjendja e trashëguar”, theksoi Maksuti.

Edhe kryetari i Këshillit Veriatlantik, Ismet Ramadani pranon se gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur stagnim edhe në sferën e mbrojtjes, përfshirë edhe përfaqësimin e shqiptarëve. Megjithatë sipas tij, tanimë procesi i anëtarësimit kërkon fokusim dhe plotësim të këtyre detyrimeve. (INA)

Comments