Mars 1821. Ali Pasha i lodhur, i dërrmuar dhe përfundimisht i mundur. Përballë tij Rushid Pasha i dërguar nga porta e lartë, që e mban të rrethuar në kalanë e Janinës. Ditët e fundit të vezirit në shpellën bunker, ku strehohej së bashku me thesarin e tij. Dredhia e kurdisur për ta nxjerrë prej andej. E së fundi ekzekutimi. Të gjitha të rrëfyera nga autori i Kontit të Monte Kristos.
I mbërthyer nga një reumatizëm e fortë, sëmundje që nuk e kishte provuar kurrë, satrapi tetëdhjetë e një vjeç, çdo ditë ngjitej në pjesën më të dukshme të bedenave të kalasë. Ulur përballë baterive të armikut, priste gjithë ata që i afroheshin.
Aty, sipër asaj platforme të zbuluar, ai mblidhte këshillin, që andej jepte urdhrat, tregonte pikat se ku duhej goditur. Nën ndriçimin e flakëve të zjarrit, ai ngjante si një personazh përrallor. Plumbat fërshëllenin, gjylet çanin ajrim sipër kokës së tij; ata që ishin përreth zinin veshët nga zhurmat.
I qetë e gjakftohtë, u jepte përgjigje me sinjale ushtarëve që akoma qëndronin në pozicione nëpër rrënojat e Janinës, duke i inkurajuar me veprime e me fjalë. Duke parë me dylbi lëvizjet e armikut, ai ndërtonte mënyrat e luftimit. Ndonjëherë kënaqej kur përshëndeste sipas mënyrës së tij korrierët e të ardhurit rishtas në pozicionet kundërshtare.
Kështu, kancelarin e konsullit francez në Prevezë, i dërguar pranë Hrushid Pashës (komandanti turk që mbante të rrethuar Ali Pashën në Janinë), sapo hynte në vendin që i kishin treguar, e vizitoi një gjyle që e detyroi të dilte menjëherë.
Kjo goditje e saktë ishte vepër e inxhinierit napolitan të Aliut, Kareto, i cili të nesërmen hodhi një breshëri gjylesh në mes të një grupi francezësh të tërhequr nga kurioziteti pranë Teksas, ku Hrushidi po ngrinte një bateri.
-Duhet t’ua bëjmë të mërzitshme, – tha Aliu, – këtyre hartuesve të vegjël të raporteve, dëshirën që kanë për të përgjuar prapa portave. Krishtërimi do të më njohë vetëm nga fitorja ose rënia ime, që do ta merakosë për një kohë të gjatë.
Pastaj, pas një çasti qetësie, urdhëroi tellallët t’u bënin të njohur ushtarëve të tij, pushtimin e Vllahisë e të Moresë. Ky lajm i hedhur nga lartësitë e bedenave e që arriti gati po aq shpejt në kampin perandorak, errësoi gjithë imagjinatat.
Tashmë në çdo anë grekët shpallnin pavarësinë. Serasqeri Hrushid Pasha papritur u gjend i rrethuar nga armiq. Situata në të cilën ndodhej rrezikonte të vështirësohej, në rast se rrethimi i Janinës do të zvarritej.
Pushtoi një ishull që ndodhej në mes të liqenit dhe aty u fortifikua. Më pas filloi një zjarr të pandërprerë kundër krahut jugor të kështjellës së Litharicës. Pak më vonë, nisi sulmi me trupa.
Ushtarët, me t’u dhënë sinjali, sulmuan me furi. Por pas një orë luftimesh – ndërkohë Aliu lëvizte me vig për shkak të reumatizmës – rrethuesit u detyruan të tërhiqen me shpejtësi në vijat e mbrojtjes, duke lënë në këmbët e bedenave rreth tetëqind të vrarë.
Ariu i Pindit është akoma gjallë, – i thërret Aliu, Hrushid Pashës. – Eja merr të vrarët që t’i varrosësh, se do t’i jap pa shpërblim. Kështu do të bëj sa herë që ti do të më sulmosh me kapadaillëk.
Pastaj, midis brohoritjeve të ushtarëve, futet në kështjellë, ku mësoi për ngritjen në këmbë të të gjithë Greqisë e të Arkipelagut(…).
Kryengritja e nxitur nga veziri i Janinës e kishte kapërcyer pikën ku ai donte të arrinte. Rebelimi ishte shndërruar në revolucion. Por shpërthimet e gëzimit të Aliut shpejt u kthyen në dhimbje, kur mësoi për një zjarr që kishte shpërthyer nga një bombë e rrethuesve, që kishte përpirë një pjesë të magazinave të tij, në kështjellën e liqenit. Hrushidi, duke menduar se kjo ngjarje e kishte dërmuar këmbënguljen e luanit të vjetër, filloi bisedimet me të.
Si ndërmjetës për bisedimet, Hrushidi zgjodhi qehajanë e Mustafa Pashës. Ai i tha vezirit këto fjalë të shquara:
-Mendohuni, rebelët mbajnë në flamurin e tyre një kryq. Ju nuk jeni veç një vegël në duart e tyre. Ruajuni se do të bëheni viktimë e politikës së tyre.
Aliu e kuptonte rrezikun. Në qoftë se Porta e Lartë kishte ndërmend ta falte do ta falte, me kushtin e vetëm të rreshtonte përsëri Helladën nën skeptrin e saj të hekurt. Ndofta atëherë grekët nuk do mund të qëndronin as një vit kundër një njeriu aq të tmerrshëm e aq të mprehtë për intriga. Por një zgjidhje aq e thjeshtë i kapërcente aftësitë intelektuale të divanit, i cili gjithmonë vetëm e kishte hequr veten shumë të ditur, duke u mburrur kot(…).
Po të ishte më pak koprac, Aliu me para mund të bindte gjithë aventurierët që Lindja i kishte me shumicë e të bënte të dridhej sulltani deri në kryeqytet.
Por, plaku ishte dashuruar me thesarin. Nga ana tjetër kishte frikë, ndofta me të drejtë, se mos ata që do ta bënin të triumfonte, mund të bëheshin zoter të tij. Ai gabohej kur mendonte se anglezët që i kishin shitur Pragën, nuk do ta lejonin kurrë flotën turke të futej në ujërat Jonianë.
I gënjyer në këtë pikë, ai nuk arriti të parashikonte ashtu si nuk parashikoi as tradhtinë e dy djemve të tij. Dezertimi i trupave të tij nuk ishte më pak kobzi. Ai nuk e kuptoi mirë përmbajtjen e kryengritjes së Greqisë, të cilën vetë e kishte nxitur, por e kishte vlerësuar sikur ai të ishte vetëm instrument për lirinë e një vendi që e kishte shtypur egërsisht, për të qenë pastaj një vartës i rangjeve të ulëta(…).