Shqipëria është ndër vendet e vetme të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore doli me një numër më të madh të hebrenjve se që kishte para fillimit të luftës.
Myslimanët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dëshmuan se jetojnë sipas parimit kuranor i cili thotë se: “Nëse dikush shpëton një jetë, do të ishte sikur të shpëtonte gjithë njerëzimin”.
Shumë dokumentare janë realizuar lidhur me faktin se si shqiptarët shpëtuan shumë hebrenj në kohë kur në tërë Evropën ata përndiqeshin.
Në kohën kur në tërë Evropën hebrenjtë po masakroheshin masivisht, një vend në Evropë nuk kishte qëndrim negativ ndaj herbrenjëve dhe ai vend, pra Shqipëria, ishte me shumicë muslimane.
Para Luftës së Dytë Botërore, vetëm 200 hebrenj kanë jetuar në Shqipëri, në fund të luftës, rreth 2,000 hebrenj jetonin aty, sepse shumë prej tyre u larguan nga Greqia, Austria dhe vende të tjera të Evropës për të gjetur strehim në Shqipëri.
Mendje të ndritura që kanë ndryshuar botën dhe mbi të gjitha çifutë siç ishte Albert Ajnshtajni, përdorën Shqipërinë në mënyrë që të kalonin në vende të tjera. Këtë e dëshmon edhe dokumentari i publikuar vite më parë me titull “Shpëtimi në Shqipëri” ku thuhet se në vitin 1935, Albert Ajnshtajni përfitoi nga ndihma shqiptare për të kaluar nëpër Evropë në Amerikë, transmeton InfoPress.
Zyrtarët e emigracionit në Shqipëri i lejonin hebrenjtë të hynin edhe nëse nuk kishin dokumentet e duhura dhe kur nazistët morën përsipër vendin, banorët vendës i mbrojtën herbrenjtë që jetonin brenda vendit të tyre, duke u dhënë atyre dokumente dhe duke deklaruar se ishin myslimanë shqiptarë. Si rezultat, hebrenjtë që ikën në Shqipëri u kursyen nga tmerret me të cilat u përballën hebrenjtë e Evropës. /Gazeta InfoPress