Integrimi evropian nuk mund të jetë diktat, por dialog – tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e Forumit të tetë të Paqes në Paris, duke iu drejtuar sesionit kushtuar të rinjve dhe perspektivës evropiane në Ballkan. Ajo theksoi se bashkëpunimi rajonal është me rëndësi thelbësore dhe bëri thirrje për mirëkuptim dhe dialog, transmeton Portalb.mk.
“Bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua. Ne nuk mund t’i shpëtojmë rajonit, është fati ynë, kjo vlen jo vetëm për ne që ende presim të bëhemi kandidatë ose që disa vende të përfundojnë negociatat me BE-në, por edhe për ata që janë tashmë në BE dhe i përkasin rajonit tonë”, tha Siljanovska-Davkova.
Në fjalimin e saj në sesion, Davkova u ndal edhe te situata e sigurisë në Evropë, duke përsëritur se zgjerimi i Bashkimit Evropian është gjithashtu një çështje sigurie, dhe jo vetëm një çështje zgjerimi.
Është në interes të stabilitetit rajonal, demokracisë rajonale, por edhe të Bashkimit Evropian, sipas Siljanovska-Davkovës, ta shohim rajonin si një sistem enësh të ndërlidhura dhe të demonstrojmë inovacion në krijimin e zgjidhjeve përfundimtare për Ballkanin Perëndimor, si një pjesë integrale e Evropës.
Më herët sot, në hapjen e Forumit të Paqes në Paris, Siljanovska-Davkova shprehu pritjet e saj se do të zhvillohen diskutime që do të kontribuojnë në zgjidhjen e sfidave më urgjente globale – paqes dhe sigurisë, ndryshimeve klimatike, transformimit digjital dhe kohezionit social.
Kujtojmë se presidentja Siljanovska–Davkova, gjatë vizitës së presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen i kërkoi ndihmë për të gjetur një “zgjidhje kreative” që do të shmangte tensionet e brendshme politike dhe do të hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese.
“Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pret ndihmë nga Unioni në gjetjen e një zgjidhjeje krijuese për të zhbllokuar integrimet maqedonase”, njoftoi kabineti i presidentes, ndër të tjera, pasi u takua me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Shkup më 15 tetor.
Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e detyrimeve që Shkupi ka marrë përsipër në kompromisin që u arrit mbi kornizën negociuese në vitin 2022, pasi Sofja paraprakisht vuri veto ndaj fillimit të negociatave në vitin 2020. Maqedonia e Veriut mbajti konferencën e saj të parë ndërqeveritare me Brukselin, por për të dytën dhe për hapjen e grupeve duhet të fusë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, për të cilën Sofja pret ndihmë nga Budapesti.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga viti 2017 kanë një Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Megjithatë, në nëntor 2020, Sofja vendosi veto për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, historinë dhe minoritetin bullgar.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u arrit një kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut, e cila pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve ekzistuese, të shtohet edhe komuniteti bullgar. Nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, ndërsa Bullgaria dha një deklaratë të njëanshme me qëndrimin e saj për këtë çështje.
Pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit. Për të mbajtur të dytën dhe për të hapur kapitujt negociues, Parlamenti i RMV-së duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Preambulë.

