Siljanovska: Gratë mbeten më të goditurat në situata konflikti
Rezolutat nuk mjaftojnë, gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të konflikteve në nivel global, ndërsa përfshirja e tyre në proceset formale të paqes, vazhdon të mbetet me përqindje të ulët. Kështu deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova gjatë shënimit të 25 vjetorit të ratifikimit të Rezolutës për Sigurinë e Grave.
” Sot kur e shënojmë 25 vjetorin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë dhe të rezolutës 1325, rreth 700 milionë gra dhe femra jetojnë në një rreze prej 50 kilometra nga zonat e konflikteve që është numri më i madh në 3 dekadat e fundit. Për cilin prosperitet flasim, për çfarë demokracie“, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, thotë se globalisht dhuna ndaj grave nëpër konflikte rritet, duke nënvizuar se nëpër konflikte në dy vitet e fundit janë vrarë katër herë më shumë gra se burra.
“Dhuna ndaj grave nëpër konflikte rritet dhe barazia gjinore në proceset e paqes mbetet e nënvlerësuar. Dhe të jem më specifik, vetëm një në 10 negociuesit e paqes, përfshinë gra në tryezë. Në dy vitet e fundit, 4 herë më shumë gra dhe femra janë vrarë nëpër konflikte krahasuar me 3 vitet e kaluara“, tha Mihalis Rokas, Ambasador.
Duke folur për barazimet gjinore gjatë punësimeve, ministri i mbrojtjes, Vllado Misajllovski tha se vazhdimisht rritet numri i pjesëtareve gra në Armatë. Ai nënvizoi se numri i oficereve gra në armatë ka arritur në 23 për qind, ndërsa në ministrinë e mbrojtjes përqindja e grave në pozita udhëheqëse ka kaluar mbi 50./Alsat.mk

