Situatë më kritike në Kërçovë nga përmbytjet, disa familje pa kulm mbi kokë

122

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe rritje të niveleve të lumenjve në disa rajone, me ndërhyrjen e shërbimeve publike dhe aktivizimin e shtabit të krizës. Sipas informacionit nga Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), bodrumet, oborret, zonat bujqësore dhe rrjedhat lokale të ujit janë përmbytur, dhe shërbimet po paralajmërojnë se derdhjet e reja janë të mundshme për shkak të terrenit të lagësht.

Situata është më serioze në Kërçovë, ku një pjesë e një vendbanimi përgjatë lumit Zajashka, në rrugën Prilepska, u përmbyt pasi lumi doli nga shtrati. Banorët thonë se uji hyri në shtëpi në një kohë shumë të shkurtër dhe disa familje u detyruan të kërkonin strehim te të afërmit, në makina ose në struktura të përkohshme.

Kjo është familja Mustafoski nga Kërçova, e cila tash e më shumë se një dekadë ka jetuar në lagjen “Prilepska” deri para tre ditësh, kur si pasojë e përmbytjeve, iu shemb shtëpia dhe mbetën pa kulm mbi kokë. Ndërkohë në këtë lagje edhe 30 shtëpi të tjera u përmbytën nga uji.

“Gjithë natën kështu kemi ndenjur. Ishim te salla po edhe atje ftoftë, e dërgova në spital mori injeksion se është e sëmurë, nuk ka as këpucë asgjë vajza,” thanë Anëtare e familjes Mustafoski.

“Ja ku të shkoj, asnjë nuk më ka ndihmuar skam ku të shkoj, asgjë skam shpëtua prej shtëpisë, ja kështu siç më sheh, ku të shkojmë tek familja? Po s`është një ditë”.

“Ja siç e shihni, kur erdhi uji kam një fëmijë një vjeçar, për pak do më mbytej. Familja u strehua por unë këtu kam ndejt gjithë natën mos ma thyejnë derën t`më vjedhin,” u shpreh një banor.

“Në gjendje të këtillë të vërshuar nga uji si jashtë edhe brenda, që prej tre ditësh janë mbi tridhjetë shtëpi në këtë lagje të Kërçovës, pjesa më e madhe e banorëve janë evakuuar ditën e djeshme dhe janë tek salla e sportit”

Banorët kërkojnë kulm mbi kokë, por assesi të kthehen sërish në atë lagje.

“Na premtojnë me vite, sot nesër dhe asgjë, tridhjetë vite jemi në atë gjendje ne”, tha një tjetër banor.

“Nuk kemi as tesha të veshim asgjë, gjithçka na mbeti nën uji. Kanalizim poshtë s`ka jetojmë assesi. Më të nevojshme e kemi neve të na jepet banesë që të jetojmë edhe ne si njerëz siç jetojnë krejt. Si gjithkund edhe ne kemi të drejtë të jetojmë nën kulm,” tha një banor.

Të evakuuarit, i vizitoi sot edhe kreu i komunës së Kërçovës, i cili premtoi zgjidhje për problemin e tyre.

“Patjetër të gjejmë zgjidhje për vendosje të përhershme, dhe të rregullohet shtrati i lumit. Ato shtëpi janë ndërtim pa leje që është shumë afër lumit dhe me vite ky lum s`është pastruar deri më tani. Mendoj se në të kaluarën janë ndërtuar 30 banesa sociale, por nuk kanë ndërmarrë masa që atje të sigurohet ujë dhe rrymë andaj të parën gjë kërkova si kryetar komune të gjendet zgjidhje atje, andaj do shohim ta zgjidhim vendosjen e tyre për përherë, jo vetëm ti kthejmë nga kanë ardh e ta presin vërshimin e radhës,” deklaroi Aleksandar Jovanovski, Kryetar i komunës së Kërçovës.

Në sallën e sportit të qytetit për moment janë të vendosur rreth 100 persona, për të cilët, komuna bashkë me Kryqin e kuq dhe shtabin e krizës, sigurojnë ushqim dyshekë e batanije. Nga dita e nesërme nëse përmirësohet moti, do fillojnë edhe punët për pastrimin e lagjes. /alsat.mk

Comments