– Advertisements –
Institutit i Shëndetit Publik pas analizave të kryera për radioaktivitetin në ujë, tokë dhe ajër, si dhe mostrat për analiza të metaleve të rënda, ka konstatuar se në zonën e Trubarevës nuk ka prani të materieve të dëmshme në ajër dhe tokë si dhe nuk ka prani të metaleve të rënda në ujë. Është vërejtur rritje vetëm e bakrit dhe zinkut, që sipas Institutit është në kuadër të normales.
“Pas analizës së rezultateve nga të gjitha mostrat e marra, mund të konkludohet se nuk ka devijime nga vlerat referuese për të gjitha 16 metalet e rënda të analizuara. Është vërejtur një rritje e nivelit të dy parametrave – bakër dhe zink vetëm në një vend të testuar, konkretisht në shtresën sipërfaqësore ku kanë djegur bateri litiumi, dhe kjo është brenda pritshmërive. Në të gjitha vendet e tjera nuk ka devijime nga vlerat referuese për metalet e analizuara”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se sipas analizave të bëra nuk ka materie të dëmshme në ujë dhe tokë, ndërsa theksoi se ditën që shpërtheu zjarri, edhe pse kryeqyteti ishte i mbuluar nga tymi i zi, gjendja jashtë zonës së Trubarevës nuk ka qenë alarmante.
“Nuk ishte alarmante gjendja jashtë perimetrit që ndodhën. Këtë e kemi thënë me përgjegjësi edhe atë dit edhe sot. I gjithë Shkupi ishte i mbuluar nga tymi i zi, dhe era e keqe kundërmonte kudo në Shkup?… Shumë e vërtetë, dhe për këtë arsye të gjithë rekomandimet e Ministrisë dhe ISHP-së ishin me 12 pika….Nuk kishte nevojë për masa më rigoroze? Masa rigoroze morëm në perimetrin ku ishte zjarri…”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq, që nga dita e shpërthimit në depon e mbetjeve elektronike në Trubarevë, disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën e Toksikologjisë, madje ka pasur edhe të shtruar në klinikë. Gjatë ditës së djeshme edhe tre pacientë të tjerë janë trajtuar në mënyrë ambulantore, ndërsa sot katër persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Toksikologji. / Alsat.mk

