Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka treguar se seanca e parë e sezonit të ri do të mbahet me 13 shtator. Kësisoj, nuk do të ketë kohë për seancë të jashtëzakonshme para takimit që Thaçi e Vuçiqi do të mbajnë të premten (nesër) në Bruksel.
“Mbajtëm një mbledhje të Kryesisë, jemi në rrugë të duhur, pavarësisht çfarë do deklarate që dëgjoni. Do të arrihet konsensusi nacional, do të ndërtojmë platformën me të cilën do të përballemi me Serbinë”, ka thënë Veseli, i cili nga holli i Kuvendit ka vazhduar me sulm ndaj opozitës.
“Fjalori politik është për keqardhje. Fjalor sulmues ndaj partive kinse për veprime antikombëtare është i papranueshëm, sepse nuk janë pjesë përmes të cilave mund të fitosh përkrahës e mund ta rrëzosh një pushtet e të ndërtosh një tjetër sepse nuk është bazë e shëndoshë. Ne duhet të garojmë mes vete me koncepte politike e ekonomike, por jo ta fusim në lojë shtetin”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, Kosova është një, e sovraniteti i shtetit është i pakontestueshëm.
“Kosova është perëndimore, Kosova është në rrugë të drejtë drejt Bashkimit Evropian, Kosova është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veseli.